10:19 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Kosova e përkushtuar në anëtarësimin e plotë në OKB

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ndihmës Sekretaren e Përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara, Bintou Keita, me të cilën bisedoi për temat e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova dhe progresin e arritur për këto dy dekada.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj falënderoi Kombet e Bashkuara për rolin e tyre të rëndësishëm në fazat e hershme të shtetndërtimit dhe kontributin që kanë dhënë agjencitë që operojnë me këtë emër për shumë projekte dhe procese të rëndësishme për vendin.

“Roli i Kombeve të Bashkuara ka qenë i pazëvendësueshëm në etapat e para të shtetndërtimit dhe arritjes së paqes në vend. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe anëtarësimin e plotë në OKB”, tha Kryeministri Haradinaj.

Sipas kumtesës për media, kryeministri Haradinaj, po ashtu, foli për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e demokracisë, si dhe për integrimin e plotë të komuniteteve jo shumicë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se vendi ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në promovimin e paqes në rajon.