14:30 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Kosova kontribuon në sigurinë rajonale

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim udhëheqësit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), kryesuar nga drejtori i NALT, gjeneral Ralf Hoffmann.

Haradinaj shprehu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s për Kosovën, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë.

Duke shprehur gatishmërinë e plotë për thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n, kryeministri Haradinaj theksoi kontributin e Kosovës në sigurinë rajonale dhe avancimin e profesionalizmit të institucioneve të sigurisë.

Kreu i ekzekutivit vendor i njoftoi udhëheqësit e NALT-it për agjendën qeveritare në çështjet e sigurisë, duke shprehur përkushtimin për qasjen gjithëpërfshirëse në transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Drejtori i NALT-it, gjenerali Ralf Hoffmann, njoftoi kryeministrin Haradinaj me angazhimet e NALT-it në Kosovë, angazhimin e përbashkët me FSK-në dhe institucionet tjera të sigurisë, si dhe për planet në vitin 2018.