10:37 / E Premte, 12 Maj 2023 / S Z

Haradinaj kujton dëshmorët e Rahovecit: Respekti për sakrificën e tyre sublime do të jetë i përhershëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar Betejën e zhvilluar më 12 maj 1998 në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël.

Haradinaj tha se kjo betejë shënoi një kapitull të ri për luftën tonë çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.

“Beteja e zhvilluar më 12 maj 1998 në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël, shënoi një kapitull të ri për luftën tonë çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Atë ditë ranë heroikisht; Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina. Një vit më pas, ra dëshmor një nga luftëtarët më të zotë të UÇK-së në rrethin e Anadrinisë, Bedrush Gashi. Me të drejtë, 12 maji shënohet si Ditë e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit”, tregoi ai.

Tutje Haradinaj bëri me dije se në të njëjtën datë, më 1998, u përjetësua udhëheqësi i njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani.

“Po ashtu në të njëjtën datë, më 1998, u përjetësua udhëheqësi i njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani. Agroni që u vu në ballë të organizimit të Luftës Çlirimtare, mbetet përgjithmonë shembull qëndrese dhe atdhedashurie. 

Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës! Respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre sublime do të jetë i përhershëm”, përfundoi ai.