14:14 / E Shtunë, 24 Tetor 2020 / A. M.

Haradinaj kundër Hotit për shuarjen e Taskë Forcës: Politika s’duhet të përzihet në drejtësi

Kryetari i Aleancës të Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se shuarja e Taskë Forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, tha se çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura.

Ai shtoi se në kohën kur ai ishte kryeministër ishte ballafaquar me raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë, por vendimi i tij ka qenë që ta ruaj sistemin dhe ta fuqizojë atë.

“Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Postimi i plote

Shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike. Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE. Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura. Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njejtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës.RH