Haradinaj me liderët e Ballkanit në Vjenë, kërkon që liberalizimi i vizave të futet në agjendën e BE-së
Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj ka zhvilluar një takim me kancelarin austriak, Sebastian Kurz dhe liderët e Ballkanit Perëndimor në Vjenë.
Pas këtij takimi, Haradinaj ka bërë të ditur se ka theksuar që Kosova është e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe është e gatshme të marrë përsipër obligimet e saj, por që kjo duhet të jetë reciproke, transmeton Indeksonline.
Haradinaj ka shtuar poashtu se ka kërkuar nga kancelari Kurz që liberalizimi i vizave të futet në agjendën e Bashkimit Evropian, sepse sipas tij Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e vëna nga BE.
Postimi i plotë:
Sot, në Vjenë të Austrisë zhvilluam një mëngjes pune me kancelarin Sebastian Kurz dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perendimorë, ku theksova se Kosova është e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe e gatshme të marrë përsipër obligimet e saja, por se kjo duhet të jetë reciproke.
I njoftova homologët se vendi ka shënuar progres në implementimin e MSA-së dhe ERA 1 dhe se tani po presim edhe lansimin e ERA 2.
Kosova është vendi i vetëm në BE dhe rajon që ende nuk lëvizë lirshëm dhe nga Kancelari Kurz kërkova që liberalizimi i vizave, të futet në agjendën e BE-së, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga BE.
Përveç të drejtës tonë për lëvizje të lirë, liberalizimi i vizave për Kosovën do të thotë më shumë partneritet, më shumë treg e mundësi këmbimi për vendet e BE-së dhe rajonit.
RH