15:48 / E Premte, 16 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj në Gjakovë: Kjo zonë do ta ketë autostradën e Dukagjinit, si e drejtë e tyre

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës se qarkores  në Gjakovë.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, tha se projekt 8 milionësh i ka munguar Gjakovës, duke theksuar se është shuma më e vogël e projekteve që do të realizohen në të ardhmen.

“Gjakova është vendbanim i madh në Kosovë, ka edhe ekonomi, territor, por ka edhe shumë plagë, vuajtje. Është normale që Kosova investon në Gjakovë, pasi kjo është diçka e zakonshme, por që i ka munguar dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën, e tash po ndodh. Nga viti ‘84 nuk ka pasur ndonjë investim të kësaj shume, por është më i vogli i atyre që do të vijnë. Nëse ky është 8 milionë, tjetri është 57 milionë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se autorruga Gjakovë – Dollc  do ta lidh Gjakovën jo vetëm me Prishtinën, por edhe më gjerë, transmeton Indeksonline.

Kryeministri Haradinaj, ndër tjerash u zotua se kjo zonë do ta ketë edhe autostradën e Dukagjinit, si një e drejtë e tyre. Kryeministri Haradinaj po ashtu shtoi se ka edhe shumë punë që i presin për këtë komunë dhe se ndihet mirë që këto projekte, veçse e kanë parë dritën.

Duke folur për Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë, Kryeministri Haradinaj, deklaroi se e gëzon fakti që është arritur që kompanive të mëdha amerikane t’i shpjegohet për këtë ide, për këtë zonë, dhe pret që një ditë të sheh shumë të rinj e të reja që shkojnë në punë, me paga të mira.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ditën e sotme e quajti të veçantë, duke falënderuar Kryeministrin Haradinaj që po fillohet projekti më i madh që ka ndodhur në Gjakovë në infrastrukturë, si një nismë shumë e mirë për këtë komunë, vlera e së cilës është 8 milionë dhe planifikohet të përfundojë në vitin 2019.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se komuna e tyre e ka pritur këtë investim që një kohë të gjatë dhe sot kjo po ndodh falë përkrahjes së Kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Pal Lekaj./Indeksonline/

 

Temat: