18:00 / E Diele, 25 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet

“Kushdo që dyshon se ne nuk do ta ndjejmë rrugën përpara, se nuk do ta dimë atë rrugë dhe nuk dimë t’i marrim veprimet e duhura, gabon. Nëse jo për tjetër, na mësojnë sot heronjtë këtu dhe na mëson e kaluara jonë. Ne jemi të vendosur që ta realizojmë të drejtën tonë, të drejtën e Kosovës, ashtu sikurse shqiptarët në trojet e veta do të realizojnë të drejtën e vet”, kështu tha kryeministri, Ramush Haradinaj, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, ngjarje kjo e organizuar në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nën patronatin e Kryeministrit.

Kryeministri Haradinaj tha se vepra e sotme, shtatoret e heronjve, janë pjesë e përgjegjësive të marra nga Kosova në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të heroit tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Një vit më parë kur e kemi nisur këtë vit bashkë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kemi hartuar një plan veprimi dhe sot shohim njërën nga ato të arritura, shtatoret e heronjve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, personalitete të larta të  Shqipërisë, zyrtarë të institucioneve vendore, kryeministri Haradinaj ndërlidhi ngjarjet që kanë peshë në ditën e sotme, duke filluar nga Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut dhe porosia që dërgoi ai për popullin e vet, për Perandorinë e atëhershme Otomane, por edhe për kontinentin, pjesë e së cilës jemi.

“Ajo porosi nuk është shuar asnjëherë, por u rikthye fuqishëm këtu ku jemi sot, për shqiptarët edhe njëherë më 1878. Nuk u shua etja për liri dhe guximi për të luftuar për të drejtën tonë, dhe atë e gjejmë më 1912 në Vlorë, me Pavarësinë e Shqipërisë. Por, jo vetëm kaq. Nuk u shua në pjesën e atdheut të robëruar dhe ashtu sikur Skënderbeu në kohën e vet, ashtu sikur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, po ashtu edhe UÇK-ja e Kosovës, guxoi të dalë kundër perandorisë së atëhershme, pra perandorisë jugosllave, një perandori që me dekada i kishte shtypur shqiptarët padrejtësisht në trojet e veta”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se në ditën e sotme, e mira e kësaj porosie është se nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet.

Nga një fjalë, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, e kanë mbajtur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, udhëheqës fetarë, dhe shumë personalitete të tjera e qytetarë të Komunës së Prizrenit, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/