12:31 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Nuk i kërkova ndihmë zyrtare Maqedonisë për zbardhjen e fatit të policëve

Kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar për një vizitë në komunën e Skënderajt.

Pas takimit me kreun e kësaj komune, Bekim Jashari, Haradinaj ka folur edhe rreth rastit të zhdukjes së dy policëve kosovarë që nga mbrëmja e së shtunës.

Haradinaj ka thënë se nuk i ka bërë kërkesë zyrtare Maqedonisë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të të dy policëve, por kjo ka qenë më shumë diçka miqësore.

“Sa i përket zhdukjes së dy policëve nuk ka diçka të re. Kam qenë dhe vet në vendin e ngjarjes. Kemi shtu personelin e kërkimit, por lumi i rrëmbyeshëm dhe pozita nga ku kanë rënë është shumë e disfavorshme. Po vazhdojnë kërkimet, nuk i kemi bërë Maqedonisë një kërkesë zyrtare, më shumë ka qenë miqësore që të ndihmojnë në gjetjen e tyre. Në momentin kur përdundojnë kërkimet në hapësirat e Kosovës do ta bëjmë”, ka thënë Haradinaj, raporton Indeksonline.

Ndryshe, policët Armend Trena e Malësor Dashi u aksidentuan në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit. Deri më tani, vetëm vetura e tyre është nxjerrë nga lumi Lepenc, por akoma nuk dihet asgjë për fatin e asnjërit.

Në kërkim të tyre janë njësitet policore, FSK-ja, zjarrfikësit, autoritetet maqedonase, si dhe qytetarë që dolën vullnëtarë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të policëve./Indeksonline/