09:59 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Haradinaj për Gashin: Ka mbetur edhe gjysma e punës

Kryeministri Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur edhe një herë lidhur me shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

Haradinaj tha se marrëdhëniet institucionale me këta të dy janë prishur, duke thënë se në rastin e Gashit ka mbetur për t’u përfunduar edhe gjysma e punës.

“Shkresa ime për lirim nga përgjegjësitë nga të dytë, i pari është kompetencë vetëm e imja, dhe i dyti është proces i përbashkët gjysma e punës është kryer dhe gjysma e punës ka mbetur për t’u kryer, është procedurë formale dhe këtë e bënë presidenti”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ai po ashtu e ka vlerësuar punë që e ka bërë Gashi në AKI, por sipas Haradinajt vendimi për deportimin e gjashtë shtetasve turq e ka dëmtuar marrëdhënien institucionale pasi që kryeministri nuk ka qenë i njoftuar për këtë.

Sefaj gjatë ditës së djeshme ka dhënë zyrtarisht dorëheqje, gjë të cilën Gashi ende nuk e ka bërë.