19:10 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Haradinaj përkrahë formimin e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i ka dhënë përkrahje formimit të komisionit hetimor parlamentar për të zbardhur çështjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq, i cili u bë pa dijeninë e krerëve shtetëror.

Haradinaj tha se 312 qytetarë të shteteve të ndryshme janë deportuar në formën e njëjtë siç u bë me shtetasit turq dhe askush nuk e ka çel gojën. Por, sipas tij, nuk ka tendenca askush të prish raportet me Turqinë.

Haradinaj nuk ka lënë pa thumbuar edhe disa deputetë, për të cilët tha se iu ka mbetur merak ta votojnë Thaçin president.

“I pash do deputetë këtu iu ka mbetur merak dhe nuk kanë arritur të jenë deputetë në të kaluarën ta votojnë Hashim Thaçin, shumë iu lagte goja kur ia përmendëshin emrin. Hajt bre se vjen rendi prapë mandatin tjetër, mos u ngutni. Pajtohemi plotësisht që të krijohet komisioni hetimor, është i domosdoshëm dhe vota jonë është për. Por nëse i shikojmë këto tri pika, e fundit dhe parafundit janë paragjykuese dhe mendoj që janë jo të rregullta njëra me tjetrën, prandaj kisha kërkuar që t’i harmonizoni këto dy pika dhe ta kemi një unitet të përbashkët kur t’i votojmë. Sepse të gjithë pajtohemi se ka pasur një padrejtësi ndaj këtyre gjashtë qytetarëve turq”, tha Haradinaj.

Seanca ku po debatohet për gjashtë shtetasit turq që u depërtuan të enjten që shkoi është duke vazhduar edhe në këto momente.