12:19 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Plotësimi i reformave i jep fund izolimit të Kosovës

Institucionet e Kosovës janë duke kryer me sukses të gjitha kriteret që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe deri në fund të shtatorit synohet të përfundohen tërësisht në mënyrë që t’i jepet fund izolimit të vendit tonë.

Kështu u tha pas mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrime, në të cilën janë shpalosur të arritur në zbatimin e ERA-së, por edhe ngecjet që janë evidentuar.

Kryeministri Ramush Haradinaj u tha përfaqësuesve të institucioneve në këtë Këshill, se duhet të trajtohen të gjitha ngecjet që adresohen në raportin e vitit 2018 për Kosovën.

“Jemi në prag të vendimeve të rëndësishme, pra siç është liberalizimi. Kërkohet intensifikim i përpjekjeve për të përmbushur kërkesat që dalin nga agjenda evropiane ERA. Synimi strategjik i qeverisë është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësi n BE. Implementimi i shpejtë dhe efikas i detyrimeve që dalin nga kontrata jonë me BE-në, që është MSA-ja, më specifikisht ERA, do të jenë themel i anëtarësimit tonë meritor dhe heqjes së regjimit të vizave për kosovarët”, tha Haradinaj.

Ndërsa, pas mbledhjes së këshillit, kreu i ekzekutivit i pyetur rreth liberalizimit të vizave dhe dhënies së datave për këtë proces, tha se kanë të drejtë të parashikojnë data.

“Ne kemi dhënë raportimin në bazë të afatit kohor të paraparë, kemi dhënë një raport preciz të asaj që ka ndodhur. Po dua të them në çdo afat të caktuar kohor rikthehemi me të dhëna tjera dhe përcillen raste të caktuara, por ne kemi dhënë provimin si Kosovë. Kur flasim për afate, jemi palë po ashtu, çdo palë i ka disa të drejta, nuk jemi vetëm ata që presin, por jemi palë, po i kryejmë disa punë të rëndësishme në vendin tonë. Pra, kemi të drejt edhe në afate dhe në pritje, se i kemi pritur BE-në, 20 vite dhe kemi të drejt të japim edhe ne disa opsione”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se është e rëndësishme që Agjenda Evropiane e Reformave të vazhdojë dhe të kenë rezultate konkrete në realizimin e kësaj agjende.

Ajo tha se procesi ERA që janë 22 sosh, disa prej tyre janë plotësuar tërësisht, ndërsa disa kanë shënuar progres shumë të mirë.

Hoxha shpreson që të përfundojë implementimi i plotë i reformave deri në fund të shtatorit.

“Dua të theksoj disa të arritura këtu që kemi marrë nga institucionet kyçe të këtij procesi. Kemi racionalizimin e agjencioneve që ndërlidhet me reformën e administratës publike dhe ligjeve që presin të fillojnë në muajin qershor, korrik dhe të përfundoj miratimi i pakos së ligjeve për reformën e administratës publike. Pastaj kemi miratimin e Kodit të Procedurës Penale, pastaj ligjin për mbrojtjen e informatorëve, miratimin e ligjit për konfiskimin e ligjit të fituar me vepra penale. Këto dy ligje do të jenë nesër në mbledhjen e qeverisë, pra edhe kjo është një arritje shumë e madhe”, tha Hoxha.

Takimi tjetër i Këshillit Ministror për Integrime pritet të mbahet kah fundi i muajit qershor.