Haradinaj: Policia dhe ushtria nuk luajnë rol, këtu na ruajnë varret
Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, tubimi i sotëm në nderim të 376 martirëve të rënë në Mejë, u përcjellë edhe nga një numër i shtuar i policëve të Kosovës, përfshirë edhe ata të njësisë speciale.
Derisa flitej se familjarët e dëshmorëve kishin paralajmëruar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj që të mos vinin në tubimin qendror në Mejë, për shkak të neglizhencës që institucionet e vendit kishin treguar për të rënët me mosrregullimin e varreve të tyre.
Megjithatë kryeministri erdhi. Ndërkaq në fjalën e tij përmendi edhe Policinë e Kosovës, me ç’rast tha se as policia dhe as ushtria nuk mund të bëjnë rojë më të mirë sesa varret e martirëve.
“As policia e as ushtria sot nuk çon punë. Le të rrinë lirisht sepse këtu na ruajnë varret, na ruan gjaku i martirëve. Ne jemi në vend tonin, në mesin e popullit tonë. Njëkohësisht, varret e të rënëve për liri, martirëve, dëshmorëve apo edhe heronjëve, janë nderi ynë. Nëse edhe këtu turpërohemi, tek këto varre nuk bëjmë si i ka hije, kuku për ne. Duhet t’i vijë turp çdo kujt nëse një varr i martirit, nuk është punuar si duhet”, tha ai.
Tutje, kryeministri u zotua se do të angazhohet për rregullimin e Kompleksit Memorial në Mejë, derisa pati një ftesë edhe për familjarët e martirëve.
“Ne kemi me punu që ky kompleks, përpos që është nderi ynë i shqiptarëve se tregon se ishim, jemi dhe do të mbesim shqiptarë gjithnjë, do të na nderon edhe në mënyrën se si do t’i tregojmë vetes dhe botës të vërtetën tonë, sakrificën tonë, çmimin për lirinë të cilën e kemi sot… Edhe njëherë familjarë të dëshmorëve, mos u dëshpëroni, mos u zhgënjeni. Mos i dëgjoni ata që vijnë dhe iu thonë fjalë në vesh. Shumica e tyre nuk e kanë dhimbjen tuaj. E di që vijnë prej atyre që nuk e kanë dhimbjen tuaj dhe vijnë për t’iu thënë gjithçka. Por nisuni prej më të dashurve tuaj dhe aty e shihni se sa shumë duhet bërë për atdheun”, shtoi ai.
Ndërsa i biri i martirit Blerim Maloku, Mergim Maloku nga Juniku, paralajmëroi se herëve tjera në rast se qeveritarët nuk do të rregullojnë varrezat e martirëve në Mejë, nuk do t’i lejojnë që të marrin pjesë në përvjetore të tjera.
Ai tha se ardhja e përfaqësuesve institucional shpeshherë vetëm se po ua shton mërzinë familjeve të dëshmorëve.
“Shumë keq e marre për qeveritarët tanë, për shoqatat tona, se kanë dhënë jetën për liri, për popull, për fëmijët e vet, dhe për gjithë kombin shqiptar. Kësaj here kemi lejuar që të vijnë. Herave tjera në rast se premtojnë diçka që nuk e mbajnë premtimin, iu kisha lut që të mos vijnë me na maltretu më tepër. Me na e shtu mërzinë më tepër se që e kemi… Herave të tjera do të bëhemi të gjithë bashkë që ta marrim një vendim që t’i anashkalojmë këto pengesa”, u shpreh ai.
Sipas Malokut, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera e kanë harruar gjakun e dëshmorëve, pasi që janë duke punuar vetëm për interesa të vetat.