17:18 / E Mërkurë, 08 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj priti ambasadoren Willems dhe përfaqësues të kompanive nga Holanda

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems dhe përfaqësues të kompanive nga Holanda.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi ambasadoren për përkrahjen e dhënë, duke theksuar se në Kosovë është krijuar një klimë dhe ambient i qëndrueshëm për investime të huaja.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu u interesua për sfidat dhe pengesat me të cilat ballafaqohen investitorët, duke theksuar se qeveria nën drejtimin e tij do të krijojë më shumë lehtësira për investime, të cilat krijojnë edhe vende të reja të punës.

Gjatë takimit, po ashtu u theksua nevoja e forcimit të ligjit, në mënyrë që kompanitë vendore dhe të huaja të kenë më shumë siguri ligjore, si dhe të eliminohen procedurat e tej zgjatura administrative.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, falënderoi kryeministrin për pritje, duke ofruar bashkëpunim të mëtutjeshëm në të gjitha fushat, veçanërisht në zhvillimin ekonomik.