09:15 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Rënia e Enver Zymberit dëshmon se themelet e Kosovës nuk mund të zhbëhen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar heroin Enver Zymberi i cili ka rënë para 7 vite, gjatë kohës që ishte në detyrë.

Haradinaj, tha se shërbimi  i tij deri në sakrificë sublime, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, është udhërrëfyesi më i mirë për brezat se si duhet mbrojtur me besnikëri vlerat e atdheut.

“Shtatë vjet më parë ra në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës Enver Zymberi, për t’u shndërruar në dëshminë më të fuqishme për ndjenjën reale të atdhedashurisë.

Shërbimi deri në sakrificë sublime, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, të rendit të saj kushtetues dhe simbolik, është udhërrëfyesi më i mirë për brezat, se si duhet përgjigjur thirrjes për t’i mbrojtur me besnikëri vlerat e atdheut.

Enveri është ndër dëshmorët e parë të Republikës, që mbijetesën e vë para çdo interesi tjetër. Rënia e tij dëshmon se themelet e kësaj Republike në tërësinë e saj janë të forta dhe si të tilla ato nuk mund të zhbëhen”, ka shkruar Haradinaj./Indeksonline/