Haradinaj tenton të vije sonte me aeroplan në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj sot pasdite u nis bashkë me ekipin e tij nga Londra për në Kosovë, por për shkak të kushteve atmosferike nuk mundi të ateroj në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Fluturimi i tij u bart në Sofje të Bullgarisë, në të cilin kishte edhe pasagjerë të tjerë, shkruan Indeksonline.
Haradinaj, ndonëse kishte mundësi që të vinte në Prishtinë vetëm, nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka konfirmuar për Indeksonline se janë duke u munduar që sonte të arrijnë në Kosovë.
“Jemi duke bërë përpjekje për me u nis. Kryeministri ka mundur moti të bëj zgjidhje për veti, por ka qëndruar me krejt për me u nis bashkë me ta. Tash jemi duke u përpjek edhe njëherë me u nis për Prishtinë me aeroplan”, ka thënë Gashi.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara ka thënë për Indeksonline se fluturimi pritet të arrij nga Sofja rreth orës 23:30.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të aeroportit të Sofjes, avioni i Haradinajt pritet të niset nga atje sonte rreth orës 23:00. Tani nga Aeroporti i Prishtinës raportojnë se një aterim është kryer rreth orës 21:00 nga Stambolli.
Kujtojmë se Haradinaj po tenton të kthehet në Kosovë, pasi që nesër në ora 10:00 është paralajmëruar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për demarkacionin si dhe një delegacion i lartë i BE-së do të qëndroj për vizitë në Kosovë. /Indeksonline/