19:15 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Haradinaj thotë se e ka ndalur ndarjen e Kosovës, arsyeton urimin për vizat

Kryeministri Ramush Haradinaj , ka thënë se i ka kthyer Kosovës sovranitetin dhe e ka ndalur ndarjen e saj.

Ai në një tubim me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë ka thënë se në dialogun me Serbinë është dorëzuar sovraniteti pa marrë asgjë në këmbim.

“Kosova në momentin kur e ka marrë qeverisjen e ka pas të formësuar sovranitetin. Vendet që anëtarësohen në BE  e dorëzojnë një pjesë të sovraniteti por marrin anëtarësim, Na e kanë dorëzuar sovranitetin në dialogun me Serbinë pa marrë kurrgjë”, ka thënë ai.

Sipas tij, që nga marrja e postit të kryeministrit shumë persona janë munduar ta bindin të pranojë ndarjen e Kosovës duke i thënë se nuk iu duhen kodrat e veriut.

“Më kanë thënë zotëri u kry puna e ndarjes së Kosovës, është nënshkruar kontrata. Kam pas plot në Prishtinë që kanë ardhë e me këna thanë se është kry. Më kanë thanë që duheni me dhanë diçka, çka ju vyejnë do kodra të veriut”.

“Nëse dikujt i doket sport i vogël me ndal një proces të ndarjes së Kosovës pas aq shumë lobimeve e pareve që i kanë shti pas aq shumë kurtheve qe i kanë përgatit, historia ka me tregu që ka qenë punë  e madhe që mos me lejuar  me nda Kosovën”, ka shtuar ai.

Ditë më parë kreu i Qeverisë ka uruar liberalizimin e vizave, pasi ka marrë përgjigjeje pozitive nga ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

Ai ka thënë se heqja e vizave për kosovarët është çështje muajsh duke shtuar se do të uroj për çdo punë që kryejnë.

““Ka me ta uru përditë sa herë ta kryejmë një punë drejt ditës që e marrim liberalizimin. …Ai e ka thënë ‘ zotëri kryeministër unë jam për liberalizimin e vizave dhe atë menjëherë’. Nëse na vonohet, një muaj ditë dy por kthim mbrapa nuk ka. Kur ka thënë gjermani për një temë që është liberalizmi i vizave, nuk besoj që Franca e do vende tjera kanë me u prish me Gjermaninë se ata kanë do tema tjera bashkë”./Indeksonline/