15:39 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj tregon arsyet pse e ka tërhequr nga Kuvendi platformën për dialog

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka treguar se ka tërhequr platformën për dialog që Qeveria e ka dërguar në Kuvend për shqyrtim.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se këtë e ka bërë për shkak se ka vërejtur një interesim të madh të forcave politike si në Parlament e edhe jashtë tij.

“Me i dhënë kohë atij debati dhe mos me kriju thyerje mes grupeve politike, e kemi tërheq platformën për bisedimet me  Serbinë. Me këtë i japim kohë spektrit politik grupeve parlamentare që të vij me idetë e tyre,  propozimet e tyre.

Kosova ka nevoje me gjet formulën e një përfaqësimi gjithëpërfshirës në këtë temë kaq të rëndësishme”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tha se si rezultat i konsultave që kanë pasur dhe gjendjes që është krijuar në diskutimet publike në Parlament, ka vlerësuar se ky është një veprim i duhur  në këtë kohë.