17:58 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj tregon çka kërkuan ambasadorët e QUINT-it

Ambasadorët e QUINT-it, i kanë kërkuar nga liderët institucional të vendit që ta ndalin iniciativën për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Këtë mesazh, ambasadorët e këtyre shteteve që janë në Kosovë ia kanë përcjellë, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë pas tentimit që përmes kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues të thirret seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e këtij ligji.

Në një intervistë për KosovaPress, kreu i ekzekutivit, megjithatë thotë se ai do ta respektojë çdo vendim që sjellë Kuvendi.

“Kanë kërkuar që të ndalet kjo iniciativë, pra mos të proceduar më tutje, mos të ndodh shfuqizimi i Ligjit për Specialen, që është diçka e pritshme realisht, kur i dimë marrëdhëniet, i dimë raportet me ta,  e pritshme”, tha Haradinaj.

Sa i përket akuzave të opozitës se kryeministri  Haradinaj bashkë me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli kanë qenë ideatorët e kësaj dhe qëndrojnë prapa peticionit tw OVL tw UÇK-së,  Haradinaj tha se nuk i kupton ato akuza për një qëndrim që nuk ka ndryshuar.

“Opozita e sotme nuk është ajo e djeshmja, mendoj përpara. Përpara kemi qenë në opozitë ne, Vetëvendosje, Nisma, tre parti opozitare kemi votuar kundër, qëndrimi ynë ka qenë publik, s’ka ndryshuar ai qëndrim, kur kemi qenë në opozitë ose tash. Ne nuk i ndërmarrim këto veprime as për hatër të dikujt, as për inate të dikujt si individ. Atë që besojmë se është e drejtë për vendin e respektojmë dhe ashtu veprojmë”, theksoi Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit, ka shtuar se partia që ai drejton do të votonte pro, sepse qëndrimi i tyre kundër kësaj Gjykate nuk ka ndryshuar, pavarësisht se ai drejton Qeverinë.

“Aleanca dhe unë kemi votuar kundër kur është themeluar Gjykata sepse e nxjerr Kosovën në pozitë të pabarabartë dhe të vështirë në imazhin ndërkombëtar. Ne atëherë kemi vlerësuar se gjykimi duhet të ndodh në vend dhe sot jemi për atë, që Kosova jo t’i ikë drejtësisë,  por këto të ndodhin në vend”, theksoi ai.

Pas nënshkrimit të 43 deputetëve të pozitës mbrëmë, u kërkua seancë e jashtëzakonshme për ta votuar ligjin i cili do ta shfuqizonte ligjin aktual për Gjykatën Speciale.

Ashpër kundër kësaj iniciative kanë dal ambasadori i SHBA-së Gred Delawie, ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.

Derisa lojë të partive në pushtet e kanë quajtur dy partitë opozita LDK dhe Vetëvendosje, përfaqësuesit e të cilave nuk kanë marrë pjesë në kryesinë e Kuvendit, çka ka pamundësuar bërjen e kuorumit për të caktuar seancë të Kuvendit.