23:58 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / Blerim

Haxhiu: Do ta propozojë edhe nesër në Kuvend amendamentin që kush ka më pak para në Trust të marr deri në 30 përqind

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i ftuar në emisionin “DPT me Fidanin” ka folur për zhvillimet e fundit dhe për nismën për kalimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike që pritet të votohet nesër.

Ai ka thënë se i kanë bërë katër rekomandime për ligjin për rimëkëmbje për të ju dalë në ndihmë qytetarëve edhe bizneseve, sepse asnjëherë si parti nuk kanë qenë përjashtuese.

“PDK asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe ndaj partive të tjera, të tjerat kanë vendosur ndaj neve, tash i hoqën, edhe Vetëvendosja le të tregojmë, edhe LDK, me çfarë kritere i hoqën vijat e kuqe dhe për këtë duhet të japin llogari te votuesit e vet dhe tek qytetarët”, tha Haxhiu.

Ai ka thënë se gjuha dhe narracioni që është ndërtuar brenda Parlamentit të Kosovës është irrituese, nëse PKD, propozon një iniciativë, të gjithë votojnë kundër, nëse Vetëvendosje propozon diçka tjetër, të gjithë votojnë kundër, kështu është edhe me iniciativat e LDD-së, AAK-së etj.

 “Kjo është shumë irrituese vetëm që e ka propozua një subjekt politik të gjithë votojnë kundër. Kjo  është krejtësisht gabim, nuk na kanë votuar qytetarët të udhëhiqemi nga inatet, por për t’iu dhënë zgjidhjeve kërkesave të qytetarëve”, theksoi Haxhiu.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen me LDK, duke thënë se nuk ka kurrfarë pakti me LDK-në, as para zgjedhjeve, as pas zgjedhjeve në Podujevë, ajo që ka ndodhë është se dje në komision, koalicioni qeverisës i ka pranuar rekomandimet e PDK-së dhe kjo është e tëra.

Deputeti i PDK-së ka folur edhe për propozimin e tij që ata që kanë më pak para në Trust, t’i marrin deri në 30% të kursimeve.

“Nuk ka pasur konsensus për propozimin tim për kategorizim, që kush ka më pak Trust të merr më shumë, të kategorizohet, në 10, 20 deri në 30 përqind. Ky propozim nuk ka kaluar në komision, është votuar vetëm nga PDK. Unë përsëri këtë propozim do ta qes nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe mbetët në vullnetin e deputetëve të Kosovës, se a do ta mbështesin ose jo këtë propozim”, ka thënë Haxhiu.