75 Mall Live Search
15:10 / E Enjte, 19 Shtator 2024 / S Z

Haxhiu pret në takim homologun e saj nga Malta, diskutojnë për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka pritur në takim homologun e saj nga Malta, Jonathan Attard.

Sipas njoftimit të ministrisë së Drejtësisë, ky takim ka përfaqësuar një tjetër hap përpara në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, duke u fokusuar në çështjet kyçe të drejtësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Gjatë takimit, Ministrja Haxhiu ndau arritjet e rëndësishme të Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij mandati, duke theksuar reformat e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e institucioneve të drejtësisë. Ajo gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme që kanë shoqëruar këto reforma, përfshirë nevojën për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se Attard, ka shprehur mirënjohjen për përpjekjet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe ka ofruar përvojat e Maltës në forcimin e institucioneve demokratike, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe transparente.

“Palët u dakorduan për krijimin e mekanizmave më të fortë bashkëpunimi, që do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e demokracisë në të dy vendet”, theksohet në njoftim.

Attard, në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante.