12:17 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / k.v

Haxhiu: Pushteti dhe plotësimi i apetiteve politike, prioritet i qeverive të mashtrimit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të situatës tani kur përhapja e pandemisë COVID-19 ka shënuar rritje.

Ai ka thënë se spitalet dhe klinikat e QKUK-së janë shndërruar në vatra kryesore të përhapjes së virusit, pasi aty qëndrojnë edhe familjarë të pacientëve, nuk ka dezinfektues dhe as vija ndarëse midis ambienteve të kontaminuara dhe pjesës tjetër.

“Situata me pandeminë COVID është tejet alarmante. SHSKUK-ja dhe spitalet tona janë para kolapsit nga numri i madh i shtuar i pacientëve me coronavirusin. Derisa vendi po shkon drejt katastrofës shëndetësore nga këta të Avdullah Hotit që janë në Qeveri dhe ata që ishin para tij.”, tha Haxhiu.

Ai kritikoi Qeveritë të Hotit dhe Kurtit për shkelje të masave nga vetë ana e tyre, për mashtrim dhe joprofesionalizëm.

“Me mashtrim, joprofesionalizëm e hajni kishte vepruar edhe qeveria paraprake e Albin Kurtit, i cili edhe mbrëmë shkeli masat mbrojtëse, pa maskë organizoi tubime festive për të disatën herë me radhë. Kur politikanët shkelin masat për një grusht votash e pak pushtet dhe nuk ndëshkohen, atëherë përse shteti i dënon qytetarët dhe i amniston politikanët. Këta politikanë të papërgjegjshëm sillen me aq komoditet pa qarë kokën se çfarë po vuajnë pacientët dhe familjarët e tyre, çfarë mundi dhe sakrifikce mbinjerëzore po bëjnë mjekët. Pushteti, plotësimi i apetiteve politike ishin dhe janë prioritet i këtyre dy qeverive të mashtrimit.”, shtoi Haxhiu.