18:20 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Haziri flet për raportin me Zemajn dhe LDK-në: S’duhet lejuar të përsëriten gabimet e Qeverisë Kurti

Që nga votimi i Qeverisë Hoti shpesh herë u raportua se kryetari i Gjilanit, njëherësh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka shumë kundërshtime karshi qeverisjes së re.

Madje së fundi u tha i njëjti ka kritikuar edhe drejtuesin e ministrisë së Shëndetësisë , bashkëpartiakun e tij ministrin Armend Zemaj lidhur me vendimet që kanë të bëjnë me pandeminë COVID-19.

Por është vetë Haziri i cili ka deklaruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Madje Haziri tha se asnjëherë nuk pati ndonjë mospajtim brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

I pyetur nëse së fundi ai pati ankesa për udhëheqjen e MSh-së dhe mospajtime për zhvillimet e tjera brenda partisë, Haziri tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Asnjëherë. Janë rekomandime dhe këshilla që të mos përsëriten gabimet e qeverisjes Kurti”, tha Haziri për Indeksonline.

Madje nënkryetari i LDK-së theksoi se kjo Qeveri e ka mbështetjen e tij dhe se nuk lejon të bëhen gabime, që qojnë vendin në situata paniku.

“Kjo Qeveri e ka mbështetjen time dhe nuk lejoj me gabu e me vendos në situatë paniku”, deklaroi Haziri.

Ndërsa në fillim të zgjedhjes së Qeverisë Hoti, Lutfi Haziri ishte shprehur paksa mosbesues sa i përket qeverisjes së re.

Ai pati thënë se po ndërtohet një qeveri të cilës nuk i beson, pasi asaj që i besoj shumë (Qeverisë Kurti), nuk arriti që me sukës të përballojë mandatin.

Haziri së fundi pati vërejte edhe sa i përket vendimit të Qeverisë Hoti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Ai tha se ora policore u vendos në mënyrë selektive dhe antikushteutese. Madje shtoi se Qeveria nuk guxon të vendos në mënyrë të tillë dhe se mund të identifikohen burimet e infeksioneve dhe të ngulfatet përhapja./Indeksonline/