14:41 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / k.v

Heshtë VV e diasporës, nuk komenton përçarjen brenda Lëvizjes

Publikimi i bisedave të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpërfaqur përçarjen që ekziston brenda kësaj lëvizje.

E tërë kjo nisi me një SMS në “Viber”, ku deputetja Aida Dërguti e ofendoi ish-liderin e VV-së, Albin Kurti.

Më pas u dhanë dorëheqje dhe lëvizja u pozicionua në dy grupe. Grupi që e mbështet Albin Kurtin dhe grupi i ish sekretarit të LVV-së, Dardan Molliqajt, i cili përkrah deputeten Dërguti.

Shumë anëtar të VV-së reaguan dhe komentuan zhvillimet, por reagime nuk pati edhe nga degët e VV-së në diasporë që janë aktive.

Indeksonline ka kontaktuar disa prej këtyre qendrave për të marr qëndrimin, njëherit pozicionimin e tyre, mirëpo këta të fundit nuk u janë përgjigjur interesimit të redaksisë.

Arben Fetai, kryetar i qendrës së VV-së në Belgjikë, nuk ka dashur të komentoj as edhe një fjalë përçarjen e VV-së.

“Nuk kam për çfarë të prononcohem”, ka thënë shkurt ai, duke mos dashur të jap qëndrim.

Dega e kësaj partie në Angli, nuk janë përgjigjur në numrin e telefonit që është publikuar në faqen e VV-së, derisa ish kryetari i kësaj qendre, Fatos Sopjani, ka thënë se ai tash e sa kohë nuk është përgjegjës i VV-së në këtë shtet.

Edhe Salih Abazi kryetar i qendrës në Gjermani nuk është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë sikurse Lirije Latifi, kryetare e qendrës në Suedi, nuk është përgjigjur interesimit tonë.

Kujtojmë që kjo parti pati planifikuar që në fund të muajit shkurt apo në fillim të marsit 2018 t’i zgjedhë strukturat e reja në hierarkinë partiake./Indeksonline/L.Th/