17:21 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

Heshtet për “bishtin e miut”në ushqimin e Njësisë Speciale të Kosovës (Foto)

Në media të shumta ishte raportuar për cilësinë e ushqimit që mbretëron në Njësinë Speciale të Kosovës.

Madje ndër të tjerash në një rast si pjesë e ushqimit kishte qenë edhe një copëz miu, në një nga gjellërat që ata ushqeheshin.

Madje pikërisht me datën gjashtë mars, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se kanë filluar hetime ndaj kompanisë ‘Beni Dona’ që furnizon me ushqim Njësinë Speciale të Kosovës, pas dyshimeve se në ushqim është gjetur diçka e dyshimtë.

“Edhe pse raportimi ka ndodhur disa ditë me vonesë, me pretendimet se në ushqim është gjetur diçka e dyshimtë, autoritetet kompetente brenda PK-së kanë filluar të gjitha veprimet e nevojshme për ta trajtuar dhe verifikuar rastin. Fotografia e publikuar në media nuk përcakton vendin, kohën dhe as rrethanat që ndërlidhin me rastin”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës të cilët kanë deklaruar se kontrata me kompaninë ‘Beni Dona’ është duke vazhduar dhe se sipas tyre deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem të dokumentuar.

“Siç kemi njoftuar edhe më pare, përmes një procedure publike të prokurimit, në respektim të plot të Ligjit për Prokurimin Publik, Policia e Kosovës ka lidhur kontratën për furnizim me ushqim me Operatorin Ekonomik “Beni Dona” Prishtinë. Kjo kontratë përfshin një meny me 36 lloje shujtash”,është thënë në një përgjigje nga Zyra për Informim.

Gjithashtu është theksuar se ushqyerja e zyrtarëve policor realizohet varësisht nga angazhimi që kanë.

“Realizimi i kontratës në fjalë menaxhohet dhe mbikëqyret vazhdimisht, nga personeli përgjegjës profesional i Policisë së Kosovës dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe institucionet tjera sipas nevojës. Ushqyerja e zyrtarëve policor realizohet varësisht nga angazhimi që kanë, në kuzhinën e instaluar në bazë apo në teren”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Ndër të tjerash sipas ZIMP, deri më tani nuk ka pas ndonjë problem të dokumentuar rreth realizimit të kësaj kontrate, dhe realizimi i kontratës vazhdon normalisht.

Ndryshe më parë nga Policia e Kosovës ishte deklaruar se janë duke trajtuar me seriozitet këtë raportim në lidhje me dyshimet e raportuara për bishtin e miut në ushqimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës. Në atë kohë, disa nga pjesëtarë te kësaj njësie patën deklaruar anonimish se kanë ndaluar së ushqyeri pasi kishin probleme edhe shëndetësore nga kjo ushqyerje./Indeksonline/

http://indeksonline.net/pjesetaret-e-njesise-speciale-refuzojne-te-ushqehen-me-arsyetimin-se-po-helmohen-foto/

http://indeksonline.net/e-gerditshme-shikoni-se-cfare-gjendet-ne-ushqimin-te-cilin-e-hane-njesia-speciale-e-policise-se-kosoves-foto/