11:00 / E Premte, 11 Mars 2022 / k.v

Hetimet e djeshme ulën ndjeshëm çmimin e vajit, ja çfarë thotë njohësi i fushës së konkurrencës

Ngritja enorme e çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaji ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera, ka aktivizuar inspektorët e tregut në Kosovë. Nga 1.80 euro sa ishte çmimi i litrës së vajit javën e kaluar, ajo dje është shitur deri në 3.49 euro. E pikërisht për këtë çmim inspektorati ka trokitur direkt në dyert e importuesit të vajit dhe në markete për të hetuar rastin.

Madje gjatë aksionit të mbrëmshëm të Inspektoratit të Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë, njëra në Fushë Kosovë dhe tjetra në Graçanicë.

IndeksOnline ka kontaktuar njohësin e fushës së konkurrencës, Shemsi Elezi i cili kanë thënë se sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kompanitë që kanë pozitë dominuese nëse e keqpërdorin pozitën e tyre dhe vendosin çmime të tepruara, janë të dënueshme.

“Edhe format e marrëveshjeve të fshehta në formë Karteli janë të dënueshme. Çka është e rëndësishme tek kjo situatë se veprimet e tilla i nënshtrohen hetimit paraprak dhe të thelluar e deri të kontrollet e paparalajmëruara”, kanë thënë Elezi.

Sipas tij, nëse një operator ekonomik që ka bërë një veprim të tillë dhe ka karakteristikat e lartcekura, do ti nënshtrohet atyre procedurave.

Ndërsa nëse një operator ekonomik nuk ka pozitë dominuese dhe i ngrit çmimet individualisht pa një analizë të kostos, sipas Elezit, janë institucionet tjera që në situatën konkrete mund të shkoj deri te ngritja e procedurës edhe sipas Kodit Penal.

Konkurrenca e përcjellë gjendjen në treg dhe merret për bazë periudha e shkeljes sa ka zgjatë dhe cilat janë dëmet që janë shkaktuar nga ato shkelje.

Pas aktivizimit të institucioneve, sot tregu është stabilizuar dhe në disa markete litra e vajit po shitet rreth 2 euro.

Qytetarët kanë kërkuar nga inspektorati që cak i hetimeve të jenë edhe pompat e derivateve pasi që ata dyshojnë se edhe ato bëjnë dallavere me çmime, duke i fryer ato tre herë brenda ditës./IndeksOnline/