10:12 / E Premte, 22 Janar 2021 / Blerim

Historike: Superkupa e Kosovës zhvillohet në Antalia të Turqisë

Kampionja aktuale e Superligës Drita dhe fituesja e Kupës së Kosovës Prishtina, të shtunën, do ta zhvillojnë ndeshjen finale të Superkupës dhe ky ballafaqim hynë në histori të futbollit kosovar si i pari që zhvillohet jashtë vendit.

Të shtunën, më 23 janar, duke filluar nga ora 11:50, Drita dhe Prishtina do të ndeshen në stadiumin “Mardan” të qytetit bregdetar turk, Antalia dhe kjo ngjarje historike e futbollit kosovar, do të transmetohet direkt dhe ekskluzivisht në Art Sport 1 dhe Klan Kosova. 

Të vetmin trofe të Superkupës, Drita e ka fituar në vitin 2018, duke e mposhtur pikërisht Prishtinën, ndërsa kaltërbardhët mbajnë rekordin e kësaj gare më gjithsejtë 9 trofe të fituar.

Sa u përket dueleve të drejtpërdrejta ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, në të gjitha garat, nga sezoni 2012-13 këto dy skuadra janë takuar 27 herë dhe ajo që bie në sy janë barazimet e shumta, 13 sosh. Përballje të tjera kanë përfunduar me 8 fitore të Prishtinës dhe 6 ndeshje të fituara të Dritës.

Drita e cila është mbrojtëse e titullit të kampiones, aktualisht edhe lider dhe kampione vjeshtore e Superligës me 41 pikë të tubuara. Në 18 xhirot vjeshtore gjilanasit kanë arritur 12 fitore, 5 barazime dhe kanë pësuar një disfatë ndërsa Prishtina me 32 pikë të tubuara renditet e treta, ndërsa ka suskes prej 9 fitoreve, 5 barazimeve dhe 4 humbjeve.

Në dy ndeshjet e vjeshtës, Drita dhe Prishtina janë ndarë në paqe. Barazimi i parë në stadiumin e qytetit, në Gjilan, ishte pa gola (0:0) kurse ai i dyti në kryeqytet solli nga një gol për secilën skuadër. Golat në stadiumin “Fadil Vokrri” i patën shënuar Besnik Krasniqi për Prishtinën dhe Fidan Gërbeshi për Dritën, kurse dueli përfundoi me rezultat 1:1.

Të dyja skuadrat, pasi kanë kryer testet për COVIDIN-19 dhe rezultuan negative, tashmë kanë udhëtuar dhe janë vendosur në Antalia ku po kryen përgatitjet e fundit para ndeshjes finale të Superkupës, e cila do të zhvillohet të shtunën e 23 janarit në stadiumin e kompleksit sportiv “Mardan”.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, moti në Antalia do të jetë me diel dhe temperatura deri në 16˚C. Me fjalë të tjera, kushtet do të jenë të përkryera për lojë, ndërsa duhet theksuar se edhe realizimi i transmetimit do të jetë më special.

Lidhur me përgatitjet dhe lajmet më të reja dhe ekskluzive në prag të ndeshjes, raportet dhe intervistat ekskluzive me trajnerë, lojtarë dhe zyrtarë të FFK-së nga vendi i ngjarjes, ato do të keni mundësi t’i ndiqni në kuadër të Sportit në Klan Kosova, emisionet” Minuta e Fundit dhe Sporti Special, portalin klankosova.tv dhe rrjetet sociale të “Artmotion”-it. Transmetimi direkt fillon nga ora 11:50 me kohën e Kosovës dhe bëhet ekskluzivisht në “Artmotion” (Art Sport 1) dhe Klan Kosova.