23:40 / E Mërkurë, 14 Nëntor 2018

Hoti: Haradinaj ka dy rrugë, të bëj koalicion me ndonjë subjekt opozitar apo ta dërgoj vendin në zgjedhje

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se nga muaji prill kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin.

Hoti në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se votat e opozitës janë gati, por ato janë vetëm 58 të tilla.

“Nënshkrimet e PSD-së dhe Vetëvendosjes i kam në zyrën time. Ne jemi gati, po për momentin votat e opozitës nuk mjaftojnë të dërgojnë para mocionin ndaj Qeverisë. Ne kemi treguar poashtu që kjo Qeveri nuk i ka 61 vota për të dërguara para ligjet më të thjeshta”, tha Hoti.

Deputeti i LDK-së thotë se me daljen e Listës Serbe nga koalicioni Qeveria nuk ka më legjitimitet, pavarësisht që edhe opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar atë Qeveri.

“Në vendet demokratike, më atë moment që një kryeministër nuk i ka votat për të çuar para agjendën qeveritare, ose jep dorëheqjen ose kërkon të provoj vetën”, tha ai.

Opozitari thotë se në situatën aktuale një kryeministër që dëshiron të respektojë rendin demokratik do të kishte ndërmarrë njërin nga dy hapat e nevojshëm për zgjidhjen e problemit.

“Kryeministri të ftoj në tryezë ndonjërën nga subjektet politike opozitare dhe ta ftojë për bashkëqeverisje duke bërë 61 numra e të funksionojnë normalisht ose të dakordohemi për datën e zgjedhjeve. Dy rrugë janë, tjera nuk ka”, deklaroi Hoti.

Avdullah Hoti thotë se LDK-ja nuk ka qenë e gatshme të futet në Qeveri gjatë tryezave të organizuara gjatë verës nga subjektet parlamentare.

“Ne kemi thënë se nuk jemi të gatshëm të hyjmë në këtë qeverisje, por hajde të ulemi bashke dhe të nxjerrim vendin nga kriza”, tha ndër të tjera Avdullah Hoti.

Temat: