12:33 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / OSH

Hoti: Pauzojmë nga aplikimi në organizata ndërkombëtare, që të mos dështojmë në aplikimet e radhës

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka deklaruar se pauzimi i shtetit të Kosovës për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare nuk do të thotë se nuk po bëhet punë në këtë kuadro.

Madje ai tha se gjatë kësaj kohe po punohet në kuadër të kësaj, në mënyrë që të sigurohet që kur të bëhen aplikimet të mos dështojnë.

Hoti, tha se kurdo që i kërkohet të mbajë interpelancë, do të jetë në gjendje të diskutojë për këtë e çështje të tjera.

“Rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përkatësisht pauzimit për një vit për të aplikuar në organizata ndërkombëtare siç jemi dakroduar në Shtëpinë e Bardhë. Pavarësia e Kosovës si dhe njohjet ndërkombëtare e anëtarësimi janë koordinim i ngushtë sistematik në partnerin tonë, pra me SHBA-në. Vetëm kështu ka qenë e mundur të ngrihet dhe rritet subjektiviteti ndërkomëtbar i Kosovës dhe çdo aplikimin për në organizatat ndërkombëtare të jetë i suksesshëm. SHBA-ja gjendet në krye të listës së partnerëve tanë në këtë drejtim, që kanë përkrahur dhe sponsoruar anëtarësimin e Kosovës”, tha Hoti.

Ai shtoi se në këtë frymë duhet kuptuar, se Kosovës i duhet përkrahje e shteteve të tjera, për në këto organizata.

Pra duhet kuptuar në këtë frymë, që na nevojitet përkrahje e SHBA-së dhe shteteve tjera. Dhe duhet parë nga këndvështrimi në afatizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila duhet të ndodhë me një njohje reciproke, dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt. Pavarësisht këtyre për të pauzuar për një vit në organizata ndërkombëtare, s’po e pauzojmë punën tonë, por po përgatitemi për organizata, pra në koordinim të plotë me gjithë parnterët dhe SHBA-në. Që të sigurohemi se aplikimet tona s’do të dështojnë si në të kaluarën, por do të pranohen”, shtoi ai.