18:48 / E Martë, 25 Shkurt 2020

Hoti: Të zbatohen me rigorozitet masat ndaj koronavirusit, në shkolla

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, e ka shpërndarë postimin e ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, duke thënë që të zbatohen me rigorozitet masat që janë bërë nga MASHT, ndaj koronavirusit.

“Sqarime me interes per te gjithe femijet ne shkolla nga ana e Ministrise se Arsimit. Stafi mesimor, nxenesit, prinderit dhe te gjithe ata qe jane te perfshire te zbatojne me rigorozitet keto masa”, ka shkruar Hoti, transmeton IndeksOnline.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme, Bajrami ka bërë thirrje të gjitha shkollave në Kosovë që ora e parë e ndërrimeve të mësimit, sot dhe  nesër, t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese.

“Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.

MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.

Po ashtu, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare”, ka shkruar ajo./IndeksOnline/