10:56 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoxha: Në vitin 2017, MSA është zbatuar 62 për qind

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në interpelancë ka theksuar se Qeveria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në konsolidimin e planifikimit dhe zbatimit të politikave nacionale për zbatimin e MSA-së.

Në këtë drejtim, gjatë tetorit dhe nëntorit Ministria e Integrimit ka udhëhequr rishikimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili mbulon periudhën 2018-2022 dhe i cili është finalizuar, miratuar dhe ka filluar së zbatuari në fillim të vitit 2018.

“Për këtë vit ky program ka paraparë zbatimin e 531 masave afatshkurta, prej të cilave 144, ose rreth 27% e tyre, janë masa legjislative, ndërsa pjesa tjetër prej 387 masave, ose rreth 73% e tyre, janë masa zbatuese”, theksoi Ministrja Hoxha.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të Programit prej 53.85%, pasi që 21 nga 39 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 18 masave, ose 46.15%, akoma nuk kanë arritur të zbatohen.

Përveç këtyre, 23 masa janë zbatuar para afateve të planifikuara. Kjo i bie se deri në fund të tremujorit të parë janë zbatuar gjithsej 44 masa, të cilat përbëjnë 8.29% të të gjitha 531 masave të planifikuara. Më tej, sa i përket gjendjes deri në fund të marsit drejt zbatimit të reformave legjislative, të gjeturat tregojnë se kemi arritur një shkallë zbatimi prej 13.89%, pasi që janë zbatuar 20 nga 144 masat afatshkurtra legjislative të planifikuara për tërë vitin, ndërsa 124 prej tyre, 86.11%, akoma nuk kanë arritur të zbatohen.

Në anën tjetër, sa i përket gjendjes deri në fund të marsit drejt zbatimit të masave zbatuese, të gjeturat tregojnë se është arritur një shkallë zbatimi prej 6.20%, pasi që është arritur të zbatohen 24 nga 387 masat afatshkurtra të planifikuara, ndërsa 363 prej tyre, ose 93.8%, akoma nuk kanë arritur të zbatohen.

Sa i përket vitit 2017 (në tërësi) është arritur një nivel i zbatimit të Programit prej 62.05% pasi që janë zbatuar plotësisht 600 nga 967 masa të planifikuara.

Sa i përket shkallës së zbatimit të masave legjislative gjatë vitit 2017, të gjeturat tregojnë se 38.47% e tyre, apo 100 masa, janë zbatuar./Indeksonline/