Hoxhaj alarmon: Refuzimi i gazit amerikan do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës
Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar në emisionin Pressing se zgjedhjet e 7 qershorit janë një betejë për mbrojtjen e demokracisë në Kosovë, duke vlerësuar se vendi aktualisht ndodhet në një situatë që ai e quajti “autokraci elektorale”.
Duke folur për energjinë dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hoxhaj tha se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar sërish një projekt strategjik amerikan për gazin.
“Kurti tashmë i ka thënë jo një kërkese amerikane që lidhet me projektin e gazit amerikan. Projekti që e mori Edi Rama në Shqipëri dhe që konsiderohej një nga pritjet më të mëdha për Kosovën. Informatat e mia flasin se Kurti i ka thënë jo vazhdimit të këtij projekti. Nuk e di nëse do të ketë deklarata nga amerikanët këto ditë apo më vonë, por këtë po e them me përgjegjësi të madhe”, deklaroi Hoxhaj.
Ai theksoi se refuzimi i këtij projekti përbën një nga goditjet më të mëdha ndaj interesave strategjike të Kosovës.
“Ka pasur edhe një mundësi tjetër për gazin amerikan dhe refuzimi edhe kësaj here është goditja më e madhe që po i bëhet Kosovës. Ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2019 me projektin ContourGlobal, ndërsa në vitin 2021 me projektin e gazit të promovuar nga Alexander Polis”, tha ai.
Sipas Hoxhajt, projekti i vitit 2021 nuk do ta lidhte vetëm Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë përmes gazit amerikan, por do të kishte edhe implikime të rëndësishme diplomatike.
“Ky projekt jo vetëm që do ta lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë përmes gazit amerikan, por në tavolinë ka qenë edhe njohja e Kosovës nga ana e Greqisë”, u shpreh Hoxhaj.

