20:49 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj: BE-ja shpërfilli Kosovën për vizat, shtetet mbështetëse ishin të pakta dhe të heshtura

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova ka bërë punën që do të duhej ta bënte çdo shtet serioz sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave.

“Nëse kësaj teme do të duhej t’i vendosej një emër kjo është ‘shpërfillje tipike evropiane’ në raport me Kosovën, dhe një lloj mos pranimi evropian, pasi neve na është thënë se procesi është teknik dhe nëse plotësoni kriteret do të shpërbleheni”, tha ai.

Hoxhaj në RTV Dukagjini ka thënë se shtetet me peshë duket se kanë qenë vendimtare për bllokimin e vizave për Kosovën.

“Shtetet mbështetëse ishin të pakta dhe disi të heshtura. Hezitonin të flisnin në favor të liberalizimit të vizave”, tha ai.

Duke folur për procesin e themelimit të ushtrisë, Hoxhaj ka thënë se deri tani gjithçka që është bërë në lidhje me FSK-në, Kosova është konsultuar me shtetet kyçe të NATO-s.

“Duhet ruajtur një raport strategjik me NATO-n. I lus edhe zyrtarët shtetërorë të kenë kujdes me deklarata… Data 14 dhjetor do të jetë ditë historike. Procesi i themelimit të ushtrisë është proces i pandalshëm”.

“Ushtria e Kosovës do të jetë partner i NATO-s, por ne jemi i vetmi vend në botë që do të duam të kemi NATO-n edhe më tej në Kosovë”, tha ai.