17:22 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj i reagon KDI-së: PDK është partia e parë në vend

Instituti Demokratik i Kosovës ka realizuar së fundi një sondazh se si do të rezultonin partitë politike në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele.

Sipas këtij sondazhi LDK do të ishtë subjekti më i votuar e cila prinë me 23.8 përqind, ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.4 përqind të votave.

Zëvëndëskryeministri i vendit dhe njëherit nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj është shprehur i habitur lidhur me këto rezultate.

Sipas tij, KDI si mostër kanë përzgjedhur komunat ku qeverisë LDK, dhe se matjet kredibile të opinionit publik në vend nxjerrin të paren partinë e tij.

“E lexova me vëmendje sondazhin e KDI-së i cili është selektiv në qasje, meqë kanë përzgjedhë si mostër komunat ku qeverisë LDK-ja. Ky është më shumë “news frame” se sa matje e saktë e disponimit publik. Matjet kredibile të opinionit publik në Kosovë flasin që PDK është bindshëm partia e parë politike në vend.”, ka thënë ai në një prononcim për Indeksonline.

Pas PDK-së renditet Lëvizja Vetëvendosje me 17.6 përqind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.8 përqind.

4.1 përqind e të anketuarve kanë deklaruar se do të votonin për Listën Serbe, ndërsa Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosovare e Re dhe Alternativa janë subjekte që sipas preferencave të qytetarëve të deklaruar në këtë hulumtim nuk do të arrinin të kalonin pragun zgjedhor prej 5 përqind./Indeksonline/