19:43 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj: Kosova nuk ka nevojë për UNMIK-un, të përfundohet ky mision

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kosova është shtet stabil dhe nuk ka nevojë për UNMIK-un.

Hoxhaj tha se ky mision duhet të mbyllet, dhe buxheti i tij të alokohet në fusha ku me të vërtetë ka nevojë për mbështetje.

“Në ditën ndërkombëtare të paqeruajtësve, shpreh mirënjohjen për trupat e Kombeve të Bashkuara për kontributin në ndërtimin e Kosovës demokratike dhe miltietnike. Paqeruajtësit nevojiten në zona konflikti, por qëndrimi i UNMIKut në Kosovë është tashmë i panevojshëm meqë vendi ka stabilitet të qëndrueshëm. Misioni i UNMIKut duhet të përfundohet dhe buxheti i tij të alokohet diku tjetër”, shkroi Hoxhaj në Twitter, pikërisht në ditën ndërkombëtare të paqeruajtësve.

Hoxhaj që një kohë të gjatë ka qenë i zëshëm duke lobuar për përmbylljen e misionit të UNMIK-ut, pasi që sipas tij, Kosova nuk ka nevojë më për mision paqeruajtës të këtij karakteri. /Indeksonline/