Hoxhaj paralajmëron: Kurti po synon ta përmbysë rendin kushtetues pas zgjedhjeve
Kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “dhunë kushtetuese” dhe tendencë për ta rrezikuar rendin kushtetues të Kosovës pas zgjedhjeve.
Në një intervistë, Hoxhaj tha se nuk e përjashton mundësinë që vendi të mbetet përkohësisht pa funksionalizim të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se kjo mund të shfrytëzohet për të propozuar një Kushtetutë të re.
“Unë s’e përjashtoj një situatë ku pas zgjedhjeve mund të mos ketë gjykatës fare në Gjykatën Kushtetuese. Ky mund të jetë qëllimi i Kurtit për ta përmbysur rendin kushtetues”, deklaroi Hoxhaj.
Ai shtoi se Kurti “asnjëherë nuk i ka besuar Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit”, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen për përdorim të “dhunës politike” ndër vite.
Hoxhaj përmendi edhe ngjarjet e vitit 2007 dhe tensionet e dikurshme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se “metodat e dhunshme janë sjellë nga rruga brenda institucioneve”.
Sipas tij, zgjedhjet po mbahen pas “dhunës kushtetuese” që, siç tha ai, Kurti e ka bërë më 27 dhe 28 prill.
“A e meriton Kosova një lider që ka qenë kundër çdo trendi pozitiv dhe që sot me një koncept puro bolshevik synon ta mbajë pushtetin”, u shpreh Hoxhaj.

