10:06 / E Martë, 18 Qershor 2019

“Huawei” akuzon SHBA-në për shantazh

Presioni amerikan mbi gjigantin kinez te telekomunikacionit, “Huawei” po nis të ndihet me pasoja konkrete.

Ren Zhengfei, themelues i firmës kineze të teknologjisë, pohoi se shitjet ndërkombëtare të saj kanë rënë me gati 40% muajin e kaluar, pas intenstifikimit të atij që e quan “shantazhi amerikan”.

Sipas përllogaritjeve të tij, bllokada amerikane do t`i kushtojë kompanisë kineze plot 30 miliardë dollarë në dy vitet e ardhshme, për shkak të humbjeve që mendohet se ajo do të ketë.

Në muajin maj, SHBA-ja e futi Huawein në listën e kompanive me të cilat firmat amerikane nuk mund të tregtojnë nëse nuk kanë licencë, transmeton TCH.

Washingtoni konsideron Huawein si prodhuesin më të madh në botë, për pajisjet e telekomunikacionit dhe krijuesi i dytë më i madh i smartfonëve, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Argument i amerikanëve dhe disa vendeve të tjera perëndimore, është se qeveria kineze mund ta përdorë teknologjinë e Huaweit për t’i zgjeruar kapacitetet e saj të spiunimit, edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.