10:25 / E Hënë, 28 Dhjetor 2020 / Ensar Ramadani

Hulumtime apo manipulime me opinionin

Autori është ekonomist dhe profesor universitar, prof. ass. dr. Bashkim  Mustafa

Është e natyrshme që në kohë fushatash e zgjedhjesh të dalin në shesh organizata të ndryshme e pretendues se njohin natyrën e matjes së opinionit publik.

Por në ditët e sotme si shumë çështje tjera profesionale edhe kjo është bërë më tepër se biznes, e dihet që bizneset kanë për qellim profitin material, qoftë përmes rritjes së klikimeve apo promovimit të individëve e organizatave të ndryshme. Në situatatën ku ndodhet Kosova edhe mund te përfitohet nga hulumtime apo manipulime me opinionin publik.

Në fakt sa janë për t’iu besuar hulumtimeve të prezantuara së fundi, mbetet të shihet në mbyllje të këtij procesi zgjedhor, shumë të komplikuar dhe i varur nga shumë variabla, që në këtë fazë është vështirë t’ju epet përgjigje.

Ne aspektin profesional ajo që është prezantuar deri më tani nuk ka qenë fare bindëse, madje as për ata që i kanë zhvilluar këto hulumtime e më hiq për opinion e gjerë apo njohësit e kësaj fushe.

Hulumtimeve ashtu siç janë prezantuar ju mungojnë shumë elemente profesionale bazike për të qenë të besueshme, prandaj  të cilat po rendisim disa argumente lidhur me këtë.

Është e rëndësishme të dihet kush e ka bërë financimin e hulumtimit të opinionit publik, cila organizatë e ka kryer hulumtimin a ka informata të mjaftueshme të qasshme për publikun, a është transparent ndaj opinionit. Sa më shumë informata, sa më i qasshëm për opinionin është zbatuesi i anketës, aq më shumë rritet besueshmëria ndaj tij.  E në fakt këto informta mungojnë.

Nga aspekti i prezantimit të duhur të metodologjisë së realizimit të hulumtimit,  zakonisht si më relevante konsiderohen anketat e realizuara derë më derë e drejtpërdrejt, numri i respon dentëve pjesëmarrës. Sa më i madh numri i të anketuarve, aq më afër të vërtetës do të jenë rezultatet e hulumtimit, por deri më tani nuk është treguar ndonjë besueshmëri e  realizimit aktual të hulumtimet e prezantuara.

A janë përfshirë të gjitha grupet e popullatës për një hulumtim relevant  të natyrës politike ne Kosovë?  Për hulumtimet që kanë për qëllim të  tregojnë për dispononim e elektoratit, ato patjetër duhet të përfshijnë të gjitha grupet e votuesve me karakteristika të ndryshme, edhe për nga mosha, gjinia, vendbanimi (urban apo rural), statusi social, arsimimi, përkatësia etnike etj. Sa më të përfaqësuara janë të gjitha grupet, aq më relevantë do të jenë rezultatet.

Është më se e nevojshme koha e kryerjes së hulumtimit e sidomos para vendimeve që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.   Relevanca e saj varet me përkrahjen që gëzojnë opsionet politike të të anketuarit të marra si mostër bazike. Opinioni lidhur me çështje apo ndodhi shoqërore, duhet të përputhen me kohën kur ato kanë qenë aktuale dhe kanë pasur ndikimin e tyre të dukshëm në jetën e qytetarëve dhe në diskursin publik. 

Sa është margjina e gabimit?

Nga shumica e hulumtimeve të prezantuara këto ditë margjina e gabimit është prezantuar më tepër për manipulim të opinionit se sa matje empirike statistikore të bazuar në rezultate. Bazuar në teoritë shkencore të kësaj fushe përgjithësisht janë të mendimit që për një kampion 1100, +/-30 veta (të anketuar drejtpërdrejtë), kufiri i lejuar i gabimit mund të variojë nga +-2.3 deri +-2.5%. Kjo të paktën do duhej që të respektohet qoftë nga organizatat qoftë nga individët si parim bazë moral dhe profesional, për të mos e vënë në pikëpyetje opinionin publik.

Nga ajo që është prezantuar deri më tani nga hulumtimet e bëra, nuk ka qenë as profesionale dhe as e bazuar në të dhënat reale statistikore.  Nuk është prezantuar ndonjë nga metodat bashkëkohore e ekonometrisë së hulumtimeve dhe matjes së opinionit publik bazuar në të dhëna shkencore të faktuara. 

Këto hulumtime do të ndryshojnë komplet pasi që varen nga shumë variabla të varuar që do ta përcjellin procesin zgjedhor.