12:00 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Humbi gruan, vajzën dhe mbesën: Ajeti rrëfen tragjedinë

Tërmeti i 26 nëntorit mori 52 jetë dhe shkaktoi një dhimbje të madhe te shumë shqiptarë.

Një prej tyre ishte edhe Ajet Meçja, të cilit tërmeti ia mori vajzën, mbesën dhe gruan.

Një tragjedi e rëndë të cilën, ai ka vendosur ta rrëfejë ditën e sotme.

Në takimin me kryeministrin, Ajeti rrëfeu se si vajzat më të dashura të jetës u gjetën në gërmadhat e godinës gjashtëkatëshe, në Durrës.

“Pas tërmetit të parë, vajza tha, babi të vij të fle tek shtëpia jote. Unë me idenë që tërmeti i parë është më i forti, i thashë të vinin. Unë fjeta në një dhomë të vogël, vajza me mbesën në dhomën tonë, ndërsa gruaja fjeti në kuzhinë.

Në orën 4 të mëngjesit ra tërmeti i fortë. E kam dëgjuar që ulërinte shumë mbesa dhe nuk pata mundësi të dilja se ishte shumë e vogël. Gjeta një hapësirë 30 cm dhe bëja të shtyja lart, nuk e shtyja dot. Dal jashtë shikoj vetëm vëllain e Edisonit me gruan dhe fëmijën.

Pallati ishte bërë grumbull. U ngjita dhe thërrisja Roza, Diena, Esiela. Dëgjoja vajzën që thoshte, “Mami”, mbesën që thërriste “gjyshi”, por s’munda ta shpëtoj. Roza nuk dëgjohej fare…”, u shpreh Ajeti.

Kërkesa e vetme që kishte për kryeministrin ishte që ti siguronte një pension, për të cilin Rama i tha se do i realizonte gjithçka dëshironte.