16:34 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Hyseni zgjidhet kryesues i asamblesë së kryetarëve të gjykatave

Kryesues i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve me shumicë votash është zgjedhur Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Bashkim Hyseni ka marrë besimin sot në mbledhjen konstituive të Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës të bazuar në Rregulloren Nr.07/2017, e miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në nëntor të këtij viti.

“Kjo mbledhje është thirrur nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi. Asambleja ka rol këshillëdhënës për Këshillin Gjyqësor të Kosovës në çështjet që ndërlidhen  me veprimet e Gjykatës duke dhënë propozime dhe rekomandime në çështjet e caktuara si në vijim: performancën e gjykatave në zgjedhjen e lëndëve, hartimin e ligjeve, rregulloreve, infrastrukturën, buxhetin etj”, thuhet në komunikatën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Asamblenë e përbëjnë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, kryetari i Gjykatës së Apelit, kryetarët e gjykatave themelore dhe nga një gjyqtar mbikëqyrës nga secila Gjykatë Themelore. Kryetarët e gjykatave do të jenë anëtarë për aq sa kohë që mbajnë postin e kryetarit të Gjykatës, kurse gjyqtarë të ndryshëm mbikëqyrës nga rajoni i çdo gjykate themelore i cakton Këshilli Gjyqësor i Kosovës çdo vit sipas shortit. Ndërsa, kryesuesi i KGjK-së, merr pjesë në takimet e Asamblesë, por nuk ka të drejtë vote.