22:23 / E Diele, 07 Janar 2018 / indeksADMonline

“I akuzuari shtiu me gjakftohtësi në drejtim të viktimave te Parku i Qytetit”

Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve Eron Agaj e Arianit Gashi, që kishte ndodhur te Parku i Qytetit në Prishtinë, si dëshmitarë u dëgjuan baballarët e viktimave, vëllai i Eronit, dhe dëshmitarja okulare Shukrete Fejzullahu.

Secili nga dëshmitarët treguan në hollësi se çka kishin parë apo dëgjuar në lidhje me vrasjen.

Në hapje të seancës, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri kërkoi nga i akuzuari Lulzim Idrizi që të deklarohej edhe një herë rreth fajësisë.

“Normal, normal, e ndjej veten fajtor”, u përgjigj i akuzuari, me ç’rast e pranoi fajësinë për veprat që i vihen në barrë në bazë të aktakuzës.

Edhe prokurorja e çështjes Bukurije Gjonbalaj tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit me arsyetimin se ky pranim është bërë konform dispozitave të procedurës penale dhe konform provave që gjenden në shkresat e lëndës.

Por, njëjtë nuk mendoi edhe trupi gjykues, i cili pas këshillimit dhe votimit e refuzoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tyre dispozitivi i aktit akuzues nuk është në përputhje me provat tjera që ekzistojnë në shkresat e lëndës.

Gjatë dëshmisë së saj, dëshmitarja Shukrete Fejzullahu tha se kishte qenë në Park dhe e kishte parë të akuzuarin duke shtënë në dy të ndjerët.

“E kam parë kur i akuzuari ka shtënë me armë në drejtim të viktimave dhe menjëherë e kam thirrë Policinë. Të shtënat kanë vazhduar pa ndalë dhe e kam parë që i akuzuari ka shtënë në drejtim të viktimave pa ndërprerë dhe me një gjakftohtësi sikurse s’po ndodhte asgjë”, deklaroi dëshmitarja okulare.

Ajo tha se e kishte ndalur një taksi për t’i dërguar të plagosurit në QKUK, dhe gjatë rrugës tha se Arianit Gashi pasi që i ishte falënderuar i kishte thënë që t’i tregonte familjes së tij se Lulzimi nga Shqipëria e kishte vrarë.

“Tregoji babit tim dhe familjes që na vrau Lulzimi nga Shqipëria”, tha dëshmitarja t’i ketë thënë i ndjeri.

Babai i të ndjerit Eron Agajt, Enveri tha se ai një ditë para ngjarjes ishte kthyer nga Shqipëria pasi që atje kishte qenë së bashku me bashkëshorten për pushime dhe pasi që ishin kthyer në shtëpi Eroni u kishte thënë se e kishte mashtruar një djalë nga Shqipëria pasi që ia ka marrë 1.300 euro dhe nuk po ia kthen më.

Pas kësaj Enver Agaj tha se i kishte thënë djalit të tij mos të merrej me ata të Shqipërisë por ta lërë atë punë.

“Unë i jam kthyer Eronit dhe i kam thënë me të Shqipërisë mos u merr as për të mirë e as për të keq, dhe leje atë punë, nuk t’i kthen, nuk t’i kthen”, tha dëshmitari.

Për shkak të këtij borxhi dëshmitari tha se Eroni ija kishte marrë veturën Lulzimit.

Kurse Sami Gashi, babai i Arianit Gashit, tha se në lidhje me rastin kishte dëgjuar nga djali i vëllait, Festimi.

“Djali i vëllait tim Festim Gashi më ka thirrë në telefon, më ka thënë axhi Sami, Arianiti është plagosur me Eronin”, tregoi dëshmitari, i cili tutje tha se Festim Gashi në telefon i kishte thënë se i kishte vrarë ai i Shqipërisë.

Sipas Sami Gashit vrasja ka qenë e planifikuar dhe i akuzuari Lulzim Idrizi ka pasur bashkëpunëtor të cilët i kanë ndihmuar që ta kryejë aktin e më pas të arratiset.

Ndërsa Ermal Agaj tha se ai në ditën kritike kishte qenë në një kafene së bashku më vëllanë e tij – Eronin, Arianitin si dhe me Muhamer Raifin.

Ermali tregoi se pak para se të ndodhte ngjarja ai më herët ishte takuar me Lulzim Idrizin rastësisht në rrugë dhe i kishte thënë se ia kishte bërë paratë Eronit, por Lulzimi i kishte thënë se kjo punë ishte në mes të tij dhe Eronit.

Më pas tregoi se gjatë kohës sa kishin qenë në kafene, Eronin e kishte telefonuar Lulzimi dhe i kishte thënë të takoheshin në Park. Dëshmitari tha se edhe ai kishte dashur që të shkonte me vëllain e tij por Arianiti nuk ia kishte dhënë motorin por i kishte thënë se ai shkon së bashku me Eronin dhe e dërgon atje.

Pas pak minutash dëshmitari tha se në telefon e kishte thirrur A.V dhe i kishte thënë se Eronin e kishin plagosur.

Në lidhje me borxhin dëshmitari tha se Eroni ia kishte dhënë 1.300 euro Lulzimit, që ky i njëjti pas shtatë ditësh t’ia kthente me kamatë shumën prej 1.500 eurosh.

Sipas aktakuzës Lulzim Idrizi me datë 29 gusht të vitit 2016 në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi me tani të ndjerin Eron Agaj, pasi që i ndjeri Eron ka shkuar me motorin e të ndjerit tjetër Arianit Gashi, të cilin e ka drejtuar vetë i ndjeri Arianiti, me qëllim që të bisedojë rreth borxhit.

Në atë moment i akuzuari Lulzim Idrizi me dashje që të njëjtit t’i privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, I ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Lulzim Idrizi me anë të këtyre veprave penale ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë si dhe të armëmbajtjes pa leje. /kallxo.com

Temat: