23:05 / E Hënë, 12 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Në gjykimin e ish-kryetarit të Prizrenit u morën në pyetje tre të akuzuarit e tjerë

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Ramadan Muja dhe të tjerët.

Në seancën e sotme janë marrë në pyetje të akuzuarit Sadik Paqarrizi, Avdulla Tejeci dhe Avni Ademaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Sadik Paqarrizi deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet – në të cilën thuhet se i ka sjellë dëm Komunës së Prizrenit me ndarjen e pronës për fabrikën e çokolatave “Kamila”.

“Me përgjegjësi e them se me rastin e ndërtimit të asaj fabrike vendimi është marrë në mënyrë unanime nga ana e bordit të drejtorëve dhe komitetit për politikë dhe financa”, tha Paqarrazi.

Ai më tutje sqaroi edhe procedurën e ndërtimit të kësaj fabrike,  duke shtuar se fabrika “Kamila” është ndërtuar në kuadër të planit rregullativ të miratuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Fabrika është përfshirë edhe në planin zhvillimor komunal për territorin e komunës së Prizrenit, aprovuar nga kuvendi komunal dhe Ministria e Planifimit Hapësinor, pra, me pëlqimin e këtyre të dyjave”, tha i akuzuari.

Më tutje, Paqarrizi tregoi se të gjitha procedurat nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit lidhur me planin rregullativ janë respektuar, duke shtuar se Drejtoria në fjalë punon sipas ligjeve dhe rregulloreve të cilat i harton Asambleja Komunale e Prizrenit.

“Me asnjë veprim nuk ka qenë krijimi i favorit për palën tjetër, në këtë rast investitorit, por qëllimi ynë ka qenë që kjo fabrikë t’i shërbejë komunitetit të asej zone, kemi pasë pëlqimin dhe miratimin e kryetarëve të fshatrave Korishë dhe Malësi e Re”, tha ndër të tjera Paqarrazi.

Sadik Paqarrizi theksoi se “hartimi i kontratës me “Kamila” siç thuhet në aktakuzë kinse e kam hartuar unë nuk qëndron, ngase Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Pronës i kanë juristët e vetë që i hartojnë kontratat dhe i interpretojnë ligjet. Unë jam inxhinier i ndërtimtarisë dhe nuk ka qenë obligim i imi të hartoj kontrata”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Ramadan Muja, avokatit Ruzhdi Berisha, i akuzuari Sadik Paqarrizi deklaroi se sipërfaqja e tokës ku ndodhet fabrika është përfshirë në planin urbanistik të komunës së Prizrenit dhe se sipërfaqja e kësaj toke e quajtur “Boka”, ku ndodhet fabrika “Kamila” është rreth 80 hektarë.

“Në atë hapësirë janë paraparë të ndërtohen edhe fabrika tjera, stadiumi i qytetit etj., dhe se miratimi nga ana e MAPH-së për planin rregullativ të kësaj toke ka qenë për tërë siperfaqen prej 80 hektarëve. Edhe Komiteti për politikë dhe financa e kanë miratu këtë projekt me pëlqimin edhe të kryetarëve të fshatrave Korishë dhe Malësi e Re”, tha në përgjigjen e tij Paqarrizi.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Fikrije Fejzullahu lidhur me nevojën e kalimit të vendimit në Asamblenë Komunale të Prizrenit, Sadik Paqarrizi deklaroi se “unë çështjen se vendimi duhet të kalojë përmes Kuvendit Komunal nuk e kam ditur deri sa ka ardhur shkresa nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe e kam kuptuar pas akuzës që e ka bërë Ridvan Hoxha”.

Më tej në pyetjen e prokurores Fejzullahu se si e mori për shfrytëzim këtë tokë kjo fabrikë, i akuzuari Paqarrizi u përgjigj duke deklaruar që procedurë tenderimi për dhënien në shfrytëzim të kësaj toke kësaj kompanie nuk ka pasur, “sepse nuk ka pasur konkurrent tjetër që ka kërkuar tokë ndërtimore në atë lokacion”.

Paqarrizi më tutje njoftoi se hartimi i kontratës për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore fabrikës “Kamila” është dhënë sipas procedurës së planit urbanistik dhe se procedura për plan urbanistik duhet të kalojë në disa faza ku janë: hartimi i planit rregullativ, miratimi i hartimit të planit urbanistik nga Kuvendi Komunal, lejimi i diskutimit publik dhe miratimti i planit urbanistik, të cilat i bën Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Krejt në fund të dëshmisë së tij Paqarrizi theksoi se dy fazat e planeve rregullative që zhvillohen në Komunë, si plani rregullativ dhe plani zhvillimor komunal, ku inkorporohen të gjitha zhvillimet si shkollat, fabrikat… ka zgjatur katër vite për miratim e për të cilat pëlqim i jep Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të gjitha këto procedura janë miratuar nga Asambleja Komunale dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor, tha ndër të tjera Paqarrizi.

Mbrojtjen e tij në këtë proces gjyqësor e dha edhe i akuzuari Abdullah Tejeci, i cili deklaroi se nuk e pranon fajësinë dhe nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet ngase sipas tij, “nuk ka bazë ligjore që unë kam kryer këtë vepër penale”.

Abdullah Tejeci, në mbrojtjen e tij, sqaroi për çështjen e moslejimit të ekspertëve gjeodetë të Komunës së Prizrenit që të marrin pjesë nëpër seanca gjyqësore nëpërmjet një konkluzioni.

“Në mbledhjen e bordit të drejtorëve të mbajtur më datë 2 gusht 2011, me procesverbal u propozua nga njëri prej drejtorëve që ekspertët tonë gjeodetë mos të marrin pjesë në seanca gjyqësore me arsyetim se kanë shumë punë, ndërkohë kryetari Ramadan Muja më pyeti se çka mund të bëjmë në këtë aspekt dhe unë iu përgjigja se ata vazhdojnë të shkojnë në seanca gjyqësore”, tha Tejeci.

Abdullah Tejeci më tutje sqaroi se po të njëjtën ditë i kishin ardhur procesverbalet e mbledhjes së mbajtur dhe një konkluzion që ai si drejtor urdhërohet që të nxjerrë një vendim të veçantë për ndalesë pjesëmarrjeje të ekspertëve gjeodetë në seancat gjyqësore, “e që të njëjtën unë nuk e kam bërë”.

“Pasi e kam lexuar këtë konkluzion unë jam konsultuar me juristin Basri Begaj dhe kam kërkuar nga ai se çka të bëjmë lidhur me këtë. I njëjti mu përgjigj se të presim për një kohë të mos marrim ndonjë vendim pa i sqaruar çështjet”, tha ndër të tjera Tejeci.

Abdullah Tejeci më tej shtoi se pas shumë trysnive dhe pas shumë takimeve e konsultave që ishin bërë mes përfaqësuesve të Komunës dhe kryetarit të Gjykatës komunale e të qarkut në Prizren ishte arritur marrëveshje që të shfuqizohet ky konkluzion dhe që gjeodetët të vazhdojnë pjesëmarrjen në seanca gjyqësore.

“U dakorduam që të shfuqizohet ky konkluzion dhe kryetari i Komunës edhe e shfuqizoi konkluzionin për ndalimin e pjesëmarrjes së ekspertëve gjeodetë në seanca gjyqësore”, tha i akuzuari.

Tejeci tregoi se ai personalisht nuk ka ndikuar në ndalimin e ekspertëve në marrjen pjesë në seanca gjyqësore dhe sipas tij “në asnjë mënyrë nuk jam fajtor për këtë dhe nuk e di pse akuzohem për këtë çështje penale”.

Në pyetjen e prokurores Fejzullahu se kush e dha propozimin për ndalimin e ekspertëve në marrjen pjesë në seanca gjyqësore, i pandehuri Tejeci u përgjigj duke thënë se “propozimi për ndalimin e gjeodetëve në seanca gjyqësore ishte nga njëri prej drejtorëve komunal”.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Zyhdi Haziri lidhur me atë se a ka qenë ky si drejtor në mbledhjen e bordit kur është diskutuar për ndalesën e gjeodetëve si dhe pse nuk e ka nxjerrë vendimin pasiqë i kishte ardhur konkluzioni si i tillë, i akuzuari Tejeci deklaroi duke u përgjigjur se “është e vërtetë që kam qenë prezent në mbledhje kur u diskutua për problemin e gjeodetëve por nuk e di ka qenë juristi i zyrës, kurse arsyeja pse nuk e kam njoftuar kryetarin e Komunës për mosnxjerrjen e vendimit për zbatim të konkluzionit është sepse zyra ligjore më ka thënë të presim”.

Për fund mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Avni Ademaj, i cili deklaroi se nuk e pranon fajësinë për këtë vepër penale e cila i ngarkohet në aktakuzë dhe se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhënë në prokurori e në gjykimin e kaluar si dhe pranë ankesës së bërë në Gjykatë të Apelit.

Në deklarimin e tij ai theksoi se vendimi për bartjen e pronës nga ekonomia e pyejeve “Sharri” për ta bartur në emër të Komunës, e më pastaj qendrës “Gylistan” është marrë nga kryetari i Komunës bazuar në dy vendimet e Kuvendit Komunal.

Avni Ademaj që ishte ushtrues detyre në Drejtorinë e Gjeodezisë , Kadastrës dhe Pronës, deklaroi se personalisht nuk ka nënshkruar në asnjë vendimmarrje dhe se vendimi për bartjen e pronësisë ishte bërë në emër të Komunës dhe se ai sa ka qenë drejtor në këtë Drejtori ka shpërndarë lëndët kurse bashkëpuntori profesional i ka marrë vendimet mbi bartjen e të drejtës së shfrytëzimit nga ekonomia e pyjeve“ Sharri” për Komunën e Prizrenit.

“Po ashtu, vendimin për dhënien me qira “Gulistanit” dhe kontratën në mes të kryetarit të Komunës dhe përfaqësuesit të “Gulistan”-it e kanë nënshkruar ata”, deklaroi Ademaj.

Avni Ademaj më tej sqaroi se nuk kishte pasur njohuri lidhur me këtë lëndë të bartjes së shfrytëzimit të tokës dhe se nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e bordit të drejtorëve kur është vendosur lidhur me këtë pronë që t’i jepet në shfrytëzim së pari Komunës e mëpastaj Komuna t’ia jepte në shfrytëzim  “Gulistanit”.

Në pyetjen e gjyqtarit Zyhdi Haziri se çka ka ndërmarrë ai lidhur me regjistrimin e shfrytëzimit të tokës, i akuzuari Ademaj u përgjigj duke pohuar se është e vërtetë se ka nxjerrë aktvendim mbi bazën e të cilit ka konstatuar se është çdo gjë në rregull kur është lejuar shfrytëzimi i tokës dhe a ka qenë i përshtatshëm që të merret ky vendim.

Ademaj sqaroi se kur është i papërshtatshëm një vendim për ekzekutim duke theksuar se “një vendim ose kontratë është i papërshtatshëm për ekzekutim në rast se bëhet fjalë ose zhvillohet procedurë për një pronë të caktuar me numër të caktuar dhe lokacion të caktuar, ndërsa nëse në vendim shkruhet gabim me qëllim ose pa qëllim një lokacion tjetër ose një numër tjetër ose prona është në hipotekë me leje të bankës- kredidhënësi”, tha në fund të deklarimit të tij Avni Ademaj.

Prokuroria Speciale në shkurt të vitit 2013 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish-drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarrizit dhe ish-drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Ndaj këtij të fundit u pushua procedura penale pasi që i njëjti ka vdekur.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët: Agim Ademi, kryetar dhe Naser Maliqi e Zyhdi Haziri anëtarë, vendosën që pasi ishte fundi i orarit të punës seanca për fjalën përfundimtare të shtyhet për më 17 dhjetor 2018./Kallxo.com/