10:47 / E Premte, 15 Korrik 2022 / B O

I lëshoi shosha pehlivanët e gazetarisë, marrja e zotit !

AKP-ja sipas paragrafëve të një rregulloreje të UNMIK-ut, i la jashtë liste pehlivanët e gazetarisë – romancierin Ymer Shkrelin, ish-kryeredaktorët Maksut Shehun e Avni Spahiun… I ranë kokallë edhe Agim Qenës, i njohur si Tafë Kusuri. I thash vetes: A janë normalë qatipët që u hynë në hak gazetarëve ! Ajo çfarë ndodhi është tragjikomike, vrasje e drejtësisë !
————

Nga Agim Muhaxheri

Luzern, korrik.- Cunami i atyre që përpilojnë lista se kush ka përfituar nga hisja e gazetës “Rilindja”, 20%-shi, e kush jo, më kapi edhe mua.
Unë punova në “Rilindje” që nga dhjetori i vitit 1982 deri në mbyllje të gazetës, më lanë jashtë listes !
Më ranë kokallë. Nuk më futën në Listën fillestare, sikundër edhe 73 të tjerë. Lajmin e mësoj derisa qëndroja për pushime te vëllai im Naimi në Lucern të Zvicres.
Dhe lajmi ma bëri pushimin zehër. I thash vetës: A janë ata qatipa normalë, ç’bëjnë me gazetarët, përse u hyjnë në hak !
Nuk më futën në listën e AKP-së (Agjenisë Kosovare të Privatizimit), ngase sipas tyre nuk paskam dëshmi për vazhdimësinë e punës deri në vitin 2002…
I kam dëshmitë, shkrimet në gazetë deri në mbyllje të gazetës, të cilat si prova do t’i bashkangjes ankesës sime…
Ia lidhën kryet punës sipas do neneve e paragrafëve të një rregulloreje të UNMIK-ut…
Personi B.L. nga Begraca e Kaçanikut, pas luftës i merr dizgjinët në dorë me pretekst se e ka çue UÇK-ja në “Rilindje” sikur ajo të ishte ‘baushtellë’ – ndërmarrje ndërtimore. I grahi disa muaj në qeverisjen e tij… Këtij i jepet viza për hisen – 20%-shin, ngase e paska përmbushur kriterin e vazhdimësisë së punës !
Rregullorja e UNMIK-ut si shosha – me vrima të mëdha – i lëshoi pehlivanët e gazetarisë.
E drejta për hisen e “Rilindjes” iu mohohet gazetarëve që punuan në vitet e 60-ta, 70-ta e 80-ta. Iu mohohet pehlivanëve të gazetarisë Ymer Shkrelit, Maksut Shehut, Rushit Ramabajës, Mehmet Kajtazit, Nexhat Halimit, Nehat Islamit, Jusuf Buxhovit, Avni Spahiut, Binak Kelmendit, Sylejman Aliut, Agim Qenës, Hilmi Sylës, Tahir Nezirit, Fahri Musliut…
Unë vetë i 20-ti ia kam nisur punës në “Rilindje” gjatë vitit 1976, më tha Tahir Neziri…
Madje, për ironi, në asnjë listë nuk figuron emri i romancierit më të madh të Kosovës, Ngucakeqit të “Rilindjes”, Ymer Shkrelit (Ky gjendet në periferi të Lucernit të Zvicres), i ish- kryeredaktorit Maksut Shehut dhe i karikaturistit Agim Qenës, i njohur si Tafë Kusuri.
Dy vëllezërit Xhavit e Besim Kajtazi punuan në gazetë në të njejtën kohë për shumë vite. Të dytit i japin vizën, të parin e lëshon shosha !
Dhe paradoksi tjetër. Kolegu ynë Afrim Maliqi, i vrarë në luftë, gëzon të drejtën e 20%-shit, ndërsa kjo e drejtë iu mohohet gazetarëve Xhemajl Mustafës e Shefki Popovës – të vrarë pas luftës.
Ekziston edhe lista e atyre që e kanë statusin e pensionistit, para shpronësimit të NSH-së… S’paskan të drejtë të marrin hise !
Ku shkruan kjo, në cilin ligj ?
Rrimë shtrembër, flasim drejtë, kësaj i thonë vrasje e drejtësisë.

Ata që vendosin për ankesat tona të kenë kujdes, të mos e vrasin sërish drejtësinë…