15:54 / E Enjte, 14 Janar 2021 / A K

I mori një gruaje 270 mijë euro, arrestohet 51 vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 51-vjeçarin Andi Alimehmeti, i cili akuzohet se nëpërmjet mashtrimit ka i përvetësuar një shtetaseje shumën prej 270 mijë eurosh.

Kallëzuesja pretendon se i ka marrë shumën pa faturë tatimore, por sipas burimeve mësohet se e dokumentuar ka qenë shuma prej 91 mijë eurosh.

Rasti në fjalë është regjistruar në vitin 2017, por është denoncuar ditët e fundit në policinë e Tiranës, pranë seksionit për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar.

51-vjeçari mësohet se ka pasur një agjenci udhëtimi dhe dyshohet se mashtronte qytetarët me pretendimin se do i bënte ortakë ose do u ndihmonte të hapnin biznes.

Alimehmeti dyshohet të ketë mashtruar dhe persona të tjerë në këtë skemë, pasi ka qenë dhe më herët i proceduar për veprën penale të mashtrimit.