10:07 / E Hënë, 27 Shtator 2021 / k.v

I riu nga Vitia bëhet sipërmarrës i suksesshëm falë mbështetjes nga UNDP dhe APRK

“Pica më e mirë n’Shehër”. Ky është slogani që përcjellë punën e Dardan Nuredinit nga Vitia, i cili udhëheq një biznes të ushqimeve të shpejta tash e ca muaj.

Dardani ka punësuar një staf solid në biznesin e tij dhe kjo i jep sigurinë që bashkë me stafin të jenë në shërbim të plotë të klientëve mirëpo vullneti i tij për punën bënë që ai të jetë tërë kohën në monitorim të gjithë procesit.

Dardani është tërë kokën sa tek kuzhina në gatim të picave kryesisht dhe ushqimeve tjera, duke u kujdesur që klientët të marrin shërbimet e kërkuara dhe duke bërë furnizimin ditor me ushqime të nevojshme.

“Në familje kultivojmë traditë në fushën e kulinarisë dhe jam i lumtur që po vazhdoj ta zhvillojë edhe më tutje këtë lëmi dhe ta përfeksionoj edhe më tej”, thotë Dardani.

Dardani është një sipërmarrës i ri i cili i është bashkuar rishtazi tregut të punës në Kosovë.

Ai është mbështetur nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit për persona të riatdhesuar, i Agjencisë për Punësim të Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë.

Dardani është në mesin e 170 punëkërkuesve të riatdhesuar që kanë hapur bizneset e tyre në sajë të mbështetjes së dhënë vitin e kaluar nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit. Shpallja e parë e Programit të Vetëpunësimit për këtë vit do të bëhet gjatë muajit tetor 2021.