08:36 / E Shtunë, 09 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ibra fajëson mediat suedeze për mungesën e tij në Botëror

Sulmuesi suedez nuk ka marrë ftesë për të luajtur me kombëtaren e tij në Kampionatin Botëror.

Zlatan Ibrahimoviq e ka të vështirë ta pranojë faktin se ai nuk do të jetë mes yjeve të tjerë të futbollit në Botëror.

Sulmuesi i Los Angeles Galaxy në Major League Soccer akuzon mediat suedeze si shkakun kryesor për mospraninë e tij në Rusi. 36-vjeçari duket mjaft i mërzitur me vendimin e Federatës Suedeze të Futbollit për të mos e grumbulluar.

“Të gjithë lojtarët më të mirë në botë janë atje, por jo edhe Zlatani”, ka thënë fillimisht Ibra. “Ky është mentaliteti i mediave suedeze. Nuk kam një emër tipik suedez, nuk kam sjelljen e një suedezi, por sërish kam rekordin në kombëtare”.

“Të luash në Botëror është diçka e speciale, sepse konsiderohet festa më e madhe në futboll”.

Ibrahimovic është golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares së Suedisë me 62 gola në 116 paraqitje.