22:51 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / k.v

Icardi mban në supe Interin, fitimtar edhe ndaj Atalantas

Interi i është kthyer fitoreve në Serie A pas barazimit ndaj Torinos, këtë herë fitoi ndaj Atalantas me rezultat 2-0.

Kjo ishte një fitore e merituar pasi skuadra e Luciano Spallettit ishte më e mirë në këtë takim.

Pjesa e parë ishte pa gola dhe ndonjë rast që ia vlen të përmendet.

Mauro Icardi në momentin e golit të parë në Giuseppe Meazza (Getty Images)
Goli i parë në takim erdhi nga Mauro Icardi në minutën e 51-të pas harkimit nga Antonio Candreva.

Argjentinasi shënoi edhe një herë në minutën e 60-të, por këtë herë asistues ishte Danilo D’Ambrosio.

Ky ishte goli i 13-të sezonal për Icardin, vetëm Ciro Immobile ka më shumë gola (15).

 

Pas kësaj fitore Interi renditet në vendin e dytë me 33 pikë, kurse Atalanta në vendin e 11-të me 16 pikë.

Ndeshja e ardhshme e Spallettit është ndaj Cagliarit, kurse Atalanta kundër Beneventos.

Vlen të theksohet se Etrit Berisha bëri një paraqitje të mirë, duke ia mohuar disa herë Icardit golin.