12:30 / E Martë, 02 Mars 2021 / OSH

ICK dhe UN Women në ndihmë 150 grave me aftësi të kufizuara

150 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara nga rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës do të pajisen me laptopë dhe atyre do t’u ofrohen trajnime online për orientim në karrierë dhe gjuhë angleze.

Marrëveshja e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu dhe udhëheqësja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, parasheh ofrimin e mundësive për aftësim online të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, gjatë periudhës së pandemisë.

Gjatë muajit mars 2021, në bashkëpunim me Zyrën e “Handikosit”, 150 pajisje (laptopë dhe PC) do të dorëzohen individualisht te secila përfituese, ndërsa një grup prej 25 vullnetarësh, do të asistojnë gratë dhe vajzat gjatë gjithë procesit të trajnimeve online.

Përveç trajnimeve online, grave dhe vajzave përfituese të projektit, do t’u ofrohet mundësia e promovimit të ideve të biznesit, tregimeve të suksesit dhe debate televizive në lidhje me gjendjen dhe ndërlidhjen e personave me aftësi të kufizuara me tregun e punës.