14:55 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / OSH

Imperializmi rus rrezikon edhe Ballkanin Perëndimor, një fuçi baruti që mund ta trazonte botën

Shkruan: Adlum Ramadani, njohës i Marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë

Ekspansioni sllavo-rus është tronditje e rëndë jo vetëm për perëndimin por edhe për diplomacinë dhe sistemin ndërkombëtarë si tërësi. Tendencat për ta rikthyer kohën e Bashkimit Sovjetik krijojnë jo vetëm disbalancë të forcave por njëkohësisht rrezik permanent për gjeopolitikën e Evropës, në veçanti të Ballkanit Perëndimor. Derisa Moska shkeli kokë e këmbë marrëveshjen e Minsk-ut dhe cenoi të drejtën ndërkombëtare, Putini tregoi se Rusia në asnjë formë nuk do të lejoj zgjerimin e NATO-s, madje në samitin e Gjenevës, e bëri të qartë për perëndimin se vet prezenca e tyre në Evropën Lindore nuk është e dëshirueshme.

Derisa shohim sesi po dështon diplomacia e llojit shuttle, Ukraina tashmë ka filluar t’i vuaj pasojat dhe kjo assesi se nuk do të ndalet deri në aneksimin e tërësishëm të saj nga Rusia.

Cila është ndërlidhja me Ballkanin Perëndimor?

Ndikimi dhe shtrirja e politikës Ruse në Ballkanin Perëndimor sa vjen e rritet. E pikërisht anëtarësimi në NATO mbetet çështje serioze që vazhdon ta shqetësoj Putinin.

Në 2016 dy oficerë ushtarakë të inteligjencës ruse thuhej se kanë operuar nga Serbia në një përpjekje të dyshuar për të organizuar një grusht-shtet në Malin e Zi për të parandaluar hyrjen e vendit në NATO derisa më vonë, 13 serb pranuan tentativën për grusht shtet.  Edhe në demonstratat e dhunshme të 2018-tës në Maqedoni, u zbulua se prapa saj qëndronin figura të shumta ruse, të cilat dëshironin me çdo kusht destabilitet.  Derisa në Kosovë, Rusia përmes Serbisë, krahas trazirave të vazhdueshme në Mitrovicën e Veriut, vazhdimisht ka tentuar të destabilizoje situatën gjithandej vendit. Pra, Rusia Ballkanin Perëndimor si tërësi e dëshiron larg perëndimit, duke tentuar ta mbaj të izoluar përmes aktorëve lokal.

Sot, më shumë se asnjëherë më parë, ekziston rreziku që e ndikuar nga politika ruse, Serbia fqinje të veproj përtej kufijve të saj. Rrjedhimisht, ndezja e fuçisë së barutit do të ishte katastrofa më e madhe që nga lufta e dytë botërore.