16:19 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Inspektorët mbyllin dy fabrika në Mitrovicë, dyshohet se rrezikonin shëndetin

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës, të udhëhequr nga drejtori i kësaj Drejtorie, Hysni Ahmeti, në mbështetje edhe të pjesëtarëve të policisë, sot kanë ndërprerë punën në dy fabrika të këtij qyteti, veprimtaria e të cilave është përpunimi i vajrave motorike.

Sipas inspektorëve, përveç mungesës së dokumentacionit, këta operatorë gjatë veprimtarisë së tyre prodhojnë helme toksike dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Kryeinspektori Hysni Ahmeti, tha se me urdhër të kryetarit të Komunës, por edhe pas peticionit të qytetarëve për ndotje të ambientit, është marr vendim që këto dy fabrika të mbyllen përkohësisht derisa të pajisen me dokumentacionin përkatës.

Sipas tij, gjithçka po bëhet për të mirën e qytetarëve dhe se është e patolerushme më ndotja e ambientit në qytetin e Mitrovicës nga ana e këtyre operatorëve.

“Kemi marr urdhër nga kryetari, por edhe si Drejtori e Inspekcionit, jemi duke bërë inspektimin e dy fabrikave të reciklimit të gomave. Nuk kanë pëlqim nga Drejtoria e Ambientit dhe pas peticionit të qytetrëve për ndotjen e ambientit, kemi marr vendim që t’i mbyllim përkohësisht derisa të paisen me dokumentacion përkatës nga Ministria e Ambientit dhe Drejtorisë së Ambientit. Jemi duke e bërë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës për arsye se ndotja e ajrit ka qenë në nivel jashtëzakonisht të madh të premtën mbrëma. Na është dashur të intervenojmë me inspektorë për të inspektuar gjendjen momentale çfarë është këtu,ne nuk mund të tolerojmë më këto fabrika me ndotë ambientin në komunën tonë”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga bashkëpronarët e kësaj fabrike, ka sqaruar se puna në këtë fabrikë aktualisht është vetëm në fazën testuese dhe jo prodhuese.

Ai bëri të ditur se Kompania ‘Sirius Eko-tek’ nga Austria, e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, ka bërë verifikimin këtu dhe ka konstatuar se nuk ka mbetje dhe as ndotje të ambientit.

“Ne nuk jemi në prodhim, por në testim. Pa u kry testimi komplet ne nuk marrim leje të prodhimit deri t’i plotësojmë të gjitha kushtet. Të gjitha kushtet janë të plotësuara, tash pritet vetëm të vinë nga Ministria e Mjedisit me na dhënë pëlqimin për prodhim. Kompania ‘Sirius Eko-tek nga Austria e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, kanë qenë këtu dhe kanë bërë verifikimin. Nuk ka asnjë mbetje, e kemi edhe me shkrim. Në bazë këtyre analizave shtetërore austriake që nuk ka mbetje dhe ndotje. Nëse kanë ndonjë provë këta, ose ndonjë dëshmi që ka ndotje, ne ta sjellin dhe po e zgjidhim problemin”, theksoi Baliu.

Ndryshe, qytetarët e disa lagjeve të jugut dhe veriut të Mitrovicës, si ‘Lagjes së Boshnjakëve’, ‘2 Korriku’ dhe të Shupkovcit, përveç se protestuan disa herë në të kaluarën, ata kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e punës së këtyre operatorëve, për shkak të ndotjes së ambientit, respektivisht të ajrit nga operatorët.

Sipas tyre, këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull dhe të reshura, për t’iu ikur syve të inspektorëve të Komunës.