00:05 / E Martë, 11 Korrik 2023 / C E

Inter identifikon pasuesin e Onanas, italianët “gjueti” në Bundeligë

Andre Onana, portieri i Inter është një hap larg firmës në Premier League me Manchester United. Dy klubet janë në bisedime intensive dhe pritet që së shpejti të gjejnë gjuhën e përbashkët për të konkretizuar operacionin. Në këtë formë, drejtuesit zikaltër po studiojnë alternativat për të zëvendësuar Onanën mes shtyllave.

Janë disa emrat e përmendur këto ditë megjithatë së fundmi, një mundësi për zikaltërit duket se është Yan Sommer. Portieri që aktivizohet në Bundesligë me Bayern Munich është i preferuari i klubit italian edhe pse për të mbërritur te zviceriani nuk është e lehtë. Në kontratën e Sommer me gjermanët nuk ka një klauzolë që e liron nga detyrimet megjithatë sipas shtypit gjerman, palët kanë një marrëveshje dhe drejtuesit mund ta lënë të lirë nëse Manuel Neuer rikthehet tërësisht i riaftësuar nga dëmtimi.

Pritet që në ditët e ardhshme, përfaqësuesit e Sommer të takohen me drejtuesit e Bayern dhe për të kuptuar më mirë qëllimet e klubit bavarez për klientin e tyre. Sommer është i gatshëm të qëndrojë në Munich, por kërkon garanci që do të mbetet titullar edhe pas rikthimit të Neuer.